Një pjesë e konsiderueshme e banorëve të Tiranës përdorin depozita uji, personale ose të përbashkëta, por jo gjithë janë të ndërgjegjshëm për domosdoshmërinë e pastrimit të tyre.
Në rastet e pallateve të reja, kur depozitat janë të përbashkëta, barra e koordinimit të procesit të pastrimit të tyre bie mbi administratorët e pallateve, të cilët duhet të ndjekin të gjithë procesin që nga vënia në dijeni e Asamblesë së banorëve e deri tek pajisja me certifikatën e pastrimit. Por janë banorët që duhet të kontribuojnë financiarisht.
Ndërkohë në rastet e depozitave individuale, janë vetë banorët që duhet të kujdesen për pastrimin e tyre, por ata jo gjithmonë kanë dijeni, ndonëse e vënë re se uji që rrjedh prej tyre nuk është i pastër.
Nëse nuk pastrohen depozitat shndërrohen në një vend grumbullimi të mikrobeve që kontaminojnë ujin duke e kthyer në faktor rreziku për shëndetin e qytetarëve.