50-vjeçari që u vra të enjten në Selanik është identifikuar si Shpëtim Bajrami. Ai u qëllua nga një tjetër shqiptar, një 45-vjeçar, i cili u dorëzua të premten, duke i thënë policisë se nuk kishte asnjë motiv për të kryer vrasje.
Sipas raportimeve të mediave helene, viktima dhe 45-vjeçari, me precedentë penalë, njiheshin me njëri-tjetrin dhe ishin ulur së bashku pak para se të ndodhte ngjarja e rëndë.
“Kohët e fundit kam marrë kërcënime serioze për jetën nga 50-vjeçari. Ka pasur dy incidente të dhunshme ndaj meje nga viktima dhe jashtë karburantit jam sulmuar sërish nga ai”, ka deklaruar autori.
Ngjarja e përgjakshme ndodhi në orën 12:35 të së enjtes jashtë një karburanti në rrugën Solonos 51.
Sapo 50-vjeçari ka ndalur makinën në pikën e karburantit, autori e ka ndjekur me mjetin me ngjyrë të zezë që drejtonte dhe është ndalur pikërisht pranë tij, pa dalë. Dy burrat filluan të debatonin dhe në një moment, viktima iu afrua vrasësit.
Në pamjet tronditëse të regjistruar nga kamerat e sigurisë së karburantit, shihet momenti kur 50-vjeçari i afrohet sulmuesit dhe tenton ta godasë nga dritarja e pasagjerit dhe më pas i dyti e qëllon – nga brenda makinës, duke e lënë të vdekur.
Viktima, sipas raportimeve, ka marrë të paktën tre plumba në shpatull dhe gjoks dhe ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.