Frikë e madhe për supermodelen argjentinase Wanda Nara. Vajza e ekraneve dhe njëherësh agjentja e bashkëshortit të saj, Mauro Icardi raportohet se është diagnostikuar me leucemi.
Lajmi është dhënë nga gazetari Jorge Lanata në programin e tij në Radio Mitre duke cituar tre burime të afërta me Wanda-n dhe klinikën “Los Arcos”, ku ajo u shtrua në spital mbrëmjen e së mërkurës me dhimbje të forta barku.
Thashethemet që po qarkullojnë në të gjitha mediat argjentinase thonë se analizat e para të bjondes argjentinase, që aktualisht drejton edicionin lokal të Master Chef, kanë konstatuar inflamacion të shpretkës dhe një anomali të konsiderueshme në nivelin e qelizave të bardha të gjakut.
Sipas burimeve familjare, Wanda Nara duhet të ishte nisur në Europë këto ditë së bashku me Icardin dhe fëmijët e saj, por do ta shtyjë udhëtimin.
Asgjë nuk del nga rrjetet sociale të çiftit, gjithmonë aktive me foto dhe detaje nga jeta e tyre private. Imazhet e fundit të lumturisë dhe qetësisë flasin për një çmim televiziv që i është dhënë Wanda Naras.
Por konfirmimi se diçka nuk shkon në drejtimin e duhur me shëndetin e saj mungon nga ajo dhe Icardi.