Autoritetet lokale ruse në rajonin e Krasnodar, i cili shtrihet në anën lindore të urës së Krimesë kanë njoftuar zyrtarisht vdekjen e një çifti dhe plagosjen e vajzës së tyre nga shpërthimet mbi urë.
Qeveria pro-ruse e Krimesë ka shpallur bllokimin e qarkullimit të mjeteve në urën 19 kilometra të gjatë, teksa i kanë konsideruar shpërthimet si sulme terroriste duke akuzuar Kievin për to.
“Sonte regjimi terrorist në Kiev kreu një krim të ri. Ata sulmuan urën e Krimesë, që është një strukturë civile për qarkullimin e mjeteve”.
Kështu shkruan në Telegram kreu i parlamentit të Krimesë, Vladimir Konstantinov, siç raporton agjencia Tass. Konstantinov thekson se shinat hekurudhore nuk janë dëmtuar dhe se shërbimi i autobusëve është rikthyer pjesërisht në funksion.
Ndërkohë, burime të paspecifikuara nga SBU-ja ukrainase, konfirmojnë për Rbc-Ukrainë se sulmi gjatë orëve të para të mëngjesit në urën e Krimesë ishte një operacion special i organizuar prej tyre dhe Forcave Detare të Kievit.
“Ura u sulmua duke përdorur drone sipërfaqësore. Ishte e vështirë për të arritur në urë, por përfundimisht u bë e mundur”, tha një burim për Rbc.
Kreu i SBU, Vasyl Malyuk, tha më parë se ura ishte një objektiv krejtësisht legjitim për Ukrainën dhe premtoi të zbulojë detaje më vonë, ndërsa media të tjera ukrainase raportuan të njëjtin informacion.
Edhe pse Kievi nuk ka marrë përgjegjësinë e drejtpërdrejtë për sulmin e supozuar, Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) postoi një aluzion të errët në mediat sociale për të aluduar se ata qëndrojnë pas sulmit.
“Ura është vënë sërish në gjumë. Dhe një herë… Dy herë!“, thuhej në mesazhin e fshehtë të SBU në Telegram, i lidhur me një postim të tetorit 2022 duke iu referuar një sulmi të mëparshëm në urën e Krimesë.
Megjithatë, Nataliya Gumenyuk, drejtoreshë e qendrës së shtypit të Forcave të Mbrojtjes Jugore të Ukrainës, beson se shpërthimi në urën e Krimesë mund të jetë një provokim rus, sepse marrëveshja e grurit skadon sot dhe ende nuk është zgjatur.
Sakaq, një alarm ajror është shpallur mëngjesin e sotëm në Kiev dhe disa rajone veriore, lindore dhe qendrore të Ukrainës. Forcat Ajrore të Kievit raportuan ngritjen e dy bombarduesve rusë Tu-22m3.