Periferitë e Athinës u përfshinë këtë të hënë nga zjarri, duke detyruar banorët që të largohen nga shtëpitë e tyre. Të ndihmuara nga temperaturat e larta dhe era e fortë flakët u përhapën me shpejtësi, duke i kapur shumicën e banorëve dhe autoriteteve të papërgatitura. Si pasojë dhjetëra hektar kullota e pyje dhe disa shtëpi u dogjën.
Policia ndihmoi në evakuimin e më shumë se 100 qytetarëve, ndërsa më shumë se 200 zjarrfikës të ndihmuar nga 20 ushtarë, 68 makina zjarrfikëse, 10 avionë dhe gjashtë helikopterë po luftojnë ende me flakët. Autoritetet thanë gjithashtu se kishin arrestuar një person si autor të dyshuar për zjarrvënien.
Rreth 1,200 fëmijë në një kamp veror dhe banorët e një qendre rehabilitimi u evakuuan për shkak të një zjarri tjetër që ra pranë vendpushimit bregdetar të Lutrakit, rreth 50 milje në perëndim të Athinës.
Rreth 135 zjarrfikës me 50 makina zjarrfikëse, 40 ushtarë dhe 13 avionë po luftojnë gjithashtu me flakët edhe në këtë zonë, ndërsa policia u detyrua të mbyllte një pjesë të një autostradës dhe ndërpreu shërbimet e trenave.
Autoritetet thanë se po luftonin me 81 zjarre në total në të gjithë vendin të hënën, me përhapje më të madhe pranë Athinës dhe po përgatiteshin për një situatë më të vështirë të martën për shkak të temperaturave të larta dhe erërave të forta.