Eurodeputeti Grek, Manolis Kefalogjanis, vizitoi Fredi Belerin në ambientet e para-burgimit, i shoqëruar nga ambasadorja greke në vendin tonë dhe më pas, ai u takua në Himarë me banorët ku i përcolli mesazhet e kryeministrit Mitcotaqis. Teksa kërkoi lirimin e Fredi Belerit, të zgjedhur për kryebashkiak të Himarës, dhe eurodeputeti grek Manolis Kefalogjanis ka shkuar më tej duke deklaruar, se mënyra sesi kjo çështje po trajtohet do të ketë ndikimin e saj në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
“Kjo çështje do të ketë tepër rëndësi në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Për këtë çëshjte dhe trajtimin e saj, do të japi konkluzione edhe Këshilli Europian, ku marrin pjesë kryeministrat dhe gjithë shtetet europiane. Ky Këshill Europian çdo vit thotë se cili është përparimi i Shqipërisë në rrugën drejt BE-së. Për një shtet si Shqipëria e cila është në rrugën e saj për të hyrë në BE, Greqia ka ndikim të madh në Këshillin Europian, për të dhënë mendimin e saj se si këto çështje trajtohen, por edhe për rrugën e Shqipërisë në Bashkimin Europian”.
Eurodeputeti Grek, Manolis Kefalogianis, i bëri këto deklarata në Himarë, ku takoi banorët, teksa ishte i shoqëruar nga ambasadorja greke në Shqipëri, Konstandina Kamici, si dhe kryetari i Omonias, Vasilis Kajos.