Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike zyrtare, Gazment Bardhi, konfirmoi vullnetin për thirrjen e Këshillit Kombëtar, por ai nuk e ka bërë akoma publik rendin e ditës për të cilin e mbledh forumin më të lartë politik vendimarrës në PD.
Në një intervistë për emisionin “Pa Censurë”, ai iu referua relacionit të deputetëve nismëtare për mbledhjen e firmave.
“Kam marrë të premten një relacion dhe një kërkesë nga një numër i konsiderueshëm anëtarësh të Këshillit Kombëtar, që konfirmojnë faktin se nuk kanë qenë prezent në mbledhje apo nuk janë dakord me vendimarrjen e 20 qershorit dhe kërkohet ndërhyrja e Sekretarit të Përgjithshëm me kompetencat që i njeh statuti. Sapo jam njohur me këtë kërkesë, kam shqyrtuar rrugët statutore për t’iu përgjigjur vullntit të shumicës dërrmuese të anëtarëve të Këshillit Kombëtar, kam vendosur të thërras mbledhjen e Këshillit Kombëtar”- u shpreh Bardhi.
I pyetur nëse kjo mbledhje synon zhbërjen e vendimeve të Këshillit që mbështet zotin Basha dhe procesin e 29 Korrikut për zgjedhjen e tij kryetar, zoti Bardhi u tregua i kujdesshëm për detajet.
“Mbledhja e Këshillit Kombëtar është një mbledhje në vijim të kërkesës. Nuk dua të paragjykoj asnjë vendimarrje të Këshillit Kombëtar të PD. Gjykoj se mbledhja e kaluar nuk ishte legjitime, prandaj në 29 Korrik nuk ka zgjedhje, sepse nuk ka një vendim të ligjshëm për to.”- u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i PD zyrtare.
Gazment Bardhi i qendron idesë se me pozicionin aktual që kundërshton synimet e zotit Basha, ai po mbron statutin e PD dhe interesat e demokratëve.
“E rëndësishme është që partia të mos përsërisë procese qesharake farsë joligjore, joinstitucionale, përfshirë atë të 29 korrikut. Nuk shpiken rregulla për t‘iu përshtatur një interesi personal dhe nuk mund të zhbësh me një vendim të kryesisë statutin e PD. Nuk është problemi im që individë të caktuar për situata të njëjta kanë vlerësim të ndryshëm. Unë e lexoj statutin njësoj si para një viti e gjysëm dhe jo si ata që kanë një standard për proceset e njëanshme të zotit Berisha dhe një tjetër, kur i përsërisin në mënyrë identike vetë, por i konsiderojnë në përputhje me statutin. Unë kam të njëjtin qendrim atëherë, të njëjtin qendrim sot, jo sipas interesit tim.“- tha Gazment Bardhi