Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni bëri thirrje për marrëdhënie të reja, më të barabarta midis Evropës dhe vendeve të origjinës dhe të tranzitit të emigrantëve. Këtë apel ajo e bëri gjatë samiti të rreth 20 kombeve, zyrtarëve të BE-së dhe organizatave ndërkombëtare, që synojnë ndalimin e flukseve të migrimit të paligjshëm.
Konferenca një ditore është një nismë e Melonit që synon ta bëjë Italinë një lider në zgjidhjen e çështjeve që prekin kombet mesdhetare. Kryesorja midis tyre është migrimi, pasi Italia mban qindra të ardhur të rinj çdo ditë në kufirin jugor të Evropës, ndërsa Evropa shikon nga Afrika dhe Lindja e Mesme për të zëvendësuar përgjithmonë furnizimet ruse.
Grupet e të drejtave të njeriut e shohin takimin, i cili përfshin kombe nga Afrika Veriore dhe Sub-Sahariane, si dhe nga Lindja e Mesme, si krijimi i një udhërrëfyesi për të ardhmen, por ato shqetësohen se politikat anti-migrante do të vendosin barrën mbi Afrikën, për të mbajtur afrikanët jashtë Evropës.
Meloni tha në takimin hapës se arroganca perëndimore ka të ngjarë që të ketë qëndruar në rrugën e zgjidhjeve për çështjen e emigrantëve.
Ajo propozoi katër pika kryesore për bashkëpunimin në të ardhmen: luftimin e organizatave kriminale që trafikojnë emigrantë, menaxhimin më të mirë të flukseve të emigrantëve, mbështetjen e refugjatëve dhe ndihmën për vendet e origjinës.
“Perëndimi shumë shpesh ka dhënë përshtypjen se është më i interesuar për të dhënë mësime sesa për të dhënë një dorë,”- tha Meloni.
“Është ndoshta kjo mosmarrëveshje që e ka bërë të vështirë përparimin në zgjidhje.”
Ajo tha se nëse flukset do të menaxhoheshin më mirë, do të kishte më shumë hapësirë për migrimin legal.
“Në një epokë ku i kushtohet kaq shumë vëmendje të drejtës për të migruar, ne nuk po i kushtojmë vëmendje të mjaftueshme të drejtës për të mos u detyruar të emigrojnë, për të mos u detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, për të mos u detyruar të braktisin tokën e tyre dhe të lënë anëtarët e familjes në kërkim të një jete të re.”
Konferenca vjen në sfondin e migrantëve që nisen nga Tunizia në Libi.
Papa Françesku, në bekimin e tij tradicional të së dielës, u bëri thirrje liderëve në Evropë dhe të Afrikë që të gjejnë një zgjidhje për mijëra njerëz që janë të bllokuar në kufijtë në Afrikën e Veriut.
“Mijëra prej tyre kanë përjetuar vuajtje të papërshkrueshme për javë të tëra dhe janë bllokuar dhe braktisur në shkretëtirë,”- tha Papa.
“Le të mos jetë më Mesdheu një teatër vdekjeje dhe çnjerëzore”,- tha Papa, duke bërë thirrje për një ndjenjë “vëllazërimi, solidariteti dhe mikpritjeje”.
Samiti i Romës vjen një javë pasi një nga pjesëmarrësit kryesorë, presidenti tunizian Kais Saied, nënshkroi një memorandum mirëkuptimi për një “partneritet strategjik gjithëpërfshirës” në një takim që përfshinte Melonin dhe Presidenten e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen.
Detajet financiare nuk u publikuan, por BE-ja ka mbajtur premtimin për gati 1 miliard euro (1.1 miliardë dollarë) për të ndihmuar në rifillimin e ekonomisë së rrënuar të Tunizisë dhe 100 milionë euro (111 milionë dollarë) për kontrollin kufitar, si dhe misionet e kërkim-shpëtimit në det dhe riatdhesimin e emigrantëve pa leje qëndrimi.
Më shumë se 1,900 emigrantë kanë vdekur ose janë zhdukur në Mesdhe këtë vit, duke e çuar totalin e të vdekurve dhe të zhdukurve që nga viti 2014 në 27,675, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin. Apnews