Asambleja me dyer të mbyllura solli ndryshime të mëdha në PS. Me vendim të kryesocialistit, Sekretari i Përgjithshëm Damian Gjiknuri nuk do të jetë më në detyrë, duke e zëvendësuar atë me Blendi Klosin. Ndërsa pasi e shkarkoi nga posti i ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi mori sërish besimin e kryeministrit, Rama e vendosi në krye të grupit parlamentar.
Nuk ishte kryeministri Edi Rama ai që erdhi i fundit, por ministrja e Financave ishte ajo që mbylli dyert e Asamblesë Kombëtare për objektivin e kamerave. Një mbledhje që nuk ngjasonte me ato të mëparshmet, pasi fjala e Edi Ramës u dëgjua vetëm nga socialistët. E dinte që socialistët po prisnin ndryshimet në qeveri, por aty vendosi t’u bënte me dije atyre shkrirjen e strukturave të PS me argumentin që duhet një rifreskim.
Në krye të këtyre ndryshimeve ishte largimi i Sekretarit të Përgjithshëm Damian Gjiknuri, detyrë që e mbante prej dy vitesh. Rama, përveç numrit dy të PS, u ka kërkuar që të dorëhiqen edhe 7 sekretarët e tjerë të PS. Kërkesë që nuk u kundërshtua nga asnjëri prej tyre, por Gjiknuri kishte vetëm një koment në largim nga Asambleja: “Më mirë do të bëhet”.
Mbetet për t’u mësuar nëse Gjiknuri do të jetë i lëshuari i radhës nga kryeministri për shkak të akuzave politike që rëndojnë mbi të për incineratorët, por vendin e tij në parti Rama ia besoi Blendi Klosit, të paktën deri në shtator. Pas pushimeve do të ketë një mbledhje asambleje për të thirrur Kongresin në vjeshtë.
Kokë më kokë kanë ndryshuar postet Bledi Çuçi me Taulant Ballën. Pasi ky i fundit i mori Ministrinë e Brendshme, Edi Rama e vendosi ish-ministrin në krye të drejtimit të grupit parlamentar.
Në takimin me dyer të mbyllura Rama ka shprehur pakënaqësinë për problemet që i kanë hapur njerëzit e tij me drejtësinë si dhe paralajmëroi për të tjerë që mund të japin llogari para pushtetit gjyqësor. Larg derës së SPAK, mësohet nga A2 të ketë qenë porosia e Ramës për kryebashkiakët e rinj.
2 orë para mbledhjes së Asamblesë, vëmendjen e mori lajmi i shkarkimit të Ministres së Financave, Delina Ibrahimaj, përgjatë dy mbledhjeve të qeverisë të zhvilluar brenda një dite. A2CNN e konfirmoi lajmin me 3 burime, si nga mazhoranca dhe Ministria e Financave, por ky vendim i dalë jashtë kontrollit qeveritar u tërhoq nga kryeministri Rama, i cili u mjaftua me një “jo” dhe një reagim të sforcuar nga aktorja kryesore: “Jemi në kohën e thashethemeve të verës. Nuk kam dhënë dorëheqjen, nuk jam shkarkuar”.
Radhën pas partisë e ka qeveria, kështu u tha Rama anëtarëve të Asamblesë. Analizën e kabinetit të tij dhe fatin e drejtuesve të dikastereve përkatëse do ta vendosë të premten dhe të shtunën në Tepelenë.