Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka deklaruar se nuk do të tërhiqet nga mbajtja mbledhjes së Këshillit Kombëtar.
Duke komentuar vendimin e Kryesisë që e çoi për hetim duke thënë se ishte si një Fletërrufe e Byrosë Politike.
“Në cilësinë si sekretar kam njoftuar thirrjen e mbledhjes së këshillit kombëtar. Menjëherë sapo është bërë publik ky njoftim afër mesnatës jam njohur me një deklaratë që dilte në emër të kryesisë, që ngjante me një fletërrufe të Byrosë politike që shpallet armik dhe baltoste Sekretarin e Përgjithshëm të partisë vetëm se kishte zbatuar statutin.
Personalisht por edhe pjesa dërmues e kolegëve që kanë qenë në betejë për t’u ndarë nga mendësia se kush nuk mendon si unë është armiku im, e kemi besuar që kemi bërë, zhgënjim për pjesën e kolegëve që tjetër gjë kanë thënë në një vit e gjysmë dhe tjetër gjë bëjnë”, ka theksuar Gazment Bardhi.
Bardhi u shpreh gjithashtu se reduktimi i 50 mijë anëtarëve është një lëvizje që është bërë më parë edhe nga Sali Berisha. Ndërsa nuk lënë pa akuzuar Lulzim Bashën, i cili po kandidon sërish për kreun e PD. Bardhi i kërkoi Bashës publikisht që të tregojë se cilin kandidat ka mbështetur në Vaun e Dejës, Rrogozhinë dhe Kurbin, duke thënë se ish-kryedemokrati ka mbështetur kandidatët e Berishës në zgjedhjet vendore të 14 majit.
“Cilido që ka bërë fushatë për Igli Carën ka bërë gjënë e duhur. Ai që ka bërë fushatë për Erion Velinë, është në një llogore të gabuar. Megjithatë e përsëris, sa kohë s’ka vendim të këshillit Kombëtar, nuk e caktoj unë kush është anëtar dhe kush jo.
Unë kam një pyetje për Bashën, që është kandidati për kryetar. Cilin kandidat ka mbështetur Basha në vaun e dejës, do duhet ti’a thotë opinion publik, nëse nuk ja thotë do bëj publike komunikimin me SMS që kanë patur me Bashën. Basha ka mbështetur 3 kandidate të Berishës ne vaun e Dejës, Kurbin e Rrogozhinë. Ata që kanë mbështetur kandidatët e Berishës ti largojmë nga këshilli, Ndërsa zotin Basha ta bëjmë kryetar partie”, tha Bardhi.