Ish-kandidati për kryeministër nga radhët e koalicionit “Sloboda”, Nenad Rashiq ka thënë se Vuçiq e ka frikë Albin Kurtin, sepse nuk do ta ketë të lehtë me të, siç e kishte me presidentin Thaçi dhe ish-kryeministrin Haradinaj.
“Vuçiqi frikësohet se nuk ka me i shku mirë me Albinin, siç i ka shku me presidentin Thaçin dhe ish-kryeminsitrin Haradinaj”, është shprehur Rashiq, pasi sipas tij, Albin Kurti nuk është naiv dhe nuk i ka borxh askujt, ka thënë ai për T7.
Nenad Rashiq ka akuzuar Beogradin zyrtar për manipulimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit në Kosovë, duke pohuar se në Serbi janë grumbulluar votat e serbëve, vetëm për Listën Serbe, të cilën qeveria e Serbisë e dirigjon.
Ai ka thënë se në një qendër në Nish janë mbushur fletëvotime, para se të dërgoheshin në Kosovë.
“Në Nish grumbullohen votat e serbëve dhe bëhen fletëvotime false”, ka deklaruar Rashiq.