Damian Gjiknuri nuk është më numri dy i Partisë Socialiste, por kjo sipas Edi Ramës nuk ka aspak lidhje me faktin që emri i tij është lakuar në çështjen e Inceneratorëve për të cilët është shpallur në kërkim ndërkombëtar edhe Arben Ahmetaj, ish-numri dy i qeverisë.
Në deklaratën e dhënë për mediat pas mbledhjes së zgjeruar dyditore të qeverisë në Tepelenë, Rama theksoi se Gjiknuri e ka bërë shumë mirë punën e tij si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, por shtoi vendimet për ndryshime janë marrë për “arsye të nevojës për të kërcyer më lart.”
“Po të nisemi nga thashethemet apo nga përfshirjet paraprake të kujtdo qoftë në një proces analize hetimore, atëherë nuk e di kush mbetet në këtë vend pa u bërë pis. Raportin tonë me drejtësinë e kemi bërë shumë të qartë. Lëvizja e të gjithë sekretarit nuk ka të bëjë aspak me atë që ndodhi me Damianin. Punën e tij e ka bërë shumë mirë, por unë kam besuar gjithmonë, që para të të vënë të tjerët në pozitën që ti të kuptosh çfarë duhet të bësh që të jesh mbi të tjerët, duhet ta bësh vetë. Të tjerët s’kanë parë nga vetja, dhe prandaj janë aty ku janë. Spekulime që mua s’më interesojnë. Raporti me drejtësinë është i ndarë nga gjërat e tjera. Lëvizjet te ne bëhen për arsye të nevojës për të kërcyer më lart,” tha kreu i qeverisë ndër të tjera.
Kujtojmë se Partia Socialiste i është nënshtruar rifreskimit të ekipit drejtues. Damian Gjiknuri ia ka lënë stafetën Blendi Klosit në detyrën si Sekretar i Përgjithshëm i partisë, një lëvizje kjo, që sipas socialistëve, i hap rrugën riformatimit të strukturës në funksion të fitores së zgjedhjeve të ardhshme.