Miroslav Lajçak, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, ka reaguar pas vendimit të Kosovës për të zvogëluar prezencën policore në komuna. Sipas Lajçak, ky është një hap i rëndësishëm drejt deeskalimit të plotë të tensioneve në veri të vendit.
”E mirëpres vlerësimin e parë të përbashkët të sotëm të sigurisë ndërmjet Policisë së Kosovës, EULEXKosovo dhe NATO_KFOR siç është rënë dakord në Bratislavë. Ky është një hap i rëndësishëm drejt deeskalimit të plotë të tensioneve në veri të Kosovës”, ka shkruar Lajçak.
Ky reagim vjen pasi Kosova zvogëloi sërish prezencën policore pranë objekteve komunale në veri të vendit. Reduktimi është njësoj si herën e parë, po me 25 për qind.
Vendimi vjen pas vlerësimit nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i, sipas së cilëve situata në terren në katër komunat është e mirë.