Në kuadër të turit të tij Ballkanin, Kreu i Komisionit të Senatit për Forcat e Armatosura, Jack Reed, është takuar me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Në fjalën e tij në takim, senatori Reed u shpreh se përkrahja ndaj Kosovës në vitin 1999, është një nga veprimet më të vlefshme të SHBA-së.
Po ashtu, Reed vlerësoi progresin që ka arritur Kosova dhe dha mbështetjen e tij për rezultatet pozitive, ndërsa u ndal më tej te strehimi i afganëve në Kosovë.
“Senatori Reed u shpreh falënderues për mikpritjen. Ai veçoi vendimin dhe vullnetin e Republikës së Kosovës për strehimin e qytetarëve afganë, duke shprehur mirënjohjen e tij. Ndër të tjerash, tha se mbështetja ndaj Kosovës në vitin 1999 ka qenë një nga veprimet më të çmueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që vlerësoi progresin që ka arritur Kosova dhe dha mbështetjen e tij për rezultatet pozitive”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë së Kosovës.
Nga ana e tij, kreu i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti falënderoi Senatorin Reed për mbështetjen e pandërprerë të SHBA-së ndaj Kosovës në çdo fazë të çlirimit, pavarësimit dhe zhvillimit, teksa ndau me të kujtime dhe përvojën dhe përshtypjet e tij nga vizita që e kishte realizuar në shtetin e Rhode Island, shtet ky të cilin senatori Reed e përfaqëson në Senatin amerikan.
“Kryeministri Kurti vendosi theksin te rritja e buxhetit në fushën e mbrojtjes, ngritjen e kapaciteteve të ushtrisë, dhe bashkëpunimin e afërt me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në realizimin e misioneve jashtë vendit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, siç ishte rasti me bashkë-zbarkimin me Gardën Kombëtare të Iowas në Kuvajt”, thuhet në njoftim.