Një tjetër tragjedi me emigrantët e paligjshëm është regjistruar, pranë brigjeve të Italisë.
Sipas të dhënave paraprake, 41 persona dyshohet të jenë mbytur pas përmbysjes së një varke me emigrantë të nisur nga Tunizia pranë Lampeduzës.
Tragjedia u rrëfye nga 4 të mbijetuar të cilët u gjetën nga një varkë patrulluese e Rojës Bregdetare në ngushticën e Siçilisë.
Emigrantët në varkën e mbytur mendohet të kenë qenë nga Bregu i Fildishtë dhe Guinea.
Katër të mbijetuarit u thanë ushtarëve se u nisën nga Sfax në Tunizi të enjten dhe në varkë kishte të paktën 3 fëmijë. Pas 6 orësh lundrim, varka prej 7 metrash u përmbys për shkak të një dallge të madhe.