I dërguari special i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach ka zhvilluar takime me presidentin serb Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministren Ana Bërnabiç. Në fokus të bisedimeve mes tyre ishte situata mes Kosovës e Serbisë.
Kryeministrja Bërnabiç u shpreh se kusht për vazhdimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është përmbushja e detyrimeve dhe marrëveshjeve të arritura më parë ndërmjet palëve, raporton Tanjug.
Situata në Kosovë e Serbi ishte kryefjalë edhe e takimit mes Vuçiç dhe Peach. Po ashtu, dyshja u ndal edhe te intensifikimi i marrëdhënieve mes Beogradit dhe Britanisë së Madhe.
“Një bisedë serioze dhe përmbajtësore me Lordin Stuart Peach, biseduam për situatën në Kosovë, si dhe në të gjithë rajonin.
Gjithashtu, u pajtuam se është e nevojshme që Serbia dhe Britania e Madhe të investojnë më shumë përpjekje në zhvillimin e marrëdhënieve tona ekonomike dhe të përgjithshme politike,” tha Vuçiç.