Pas përfundimit të mbledhjes së grupit të punës së Opozitës së Bashkuar për reformën zgjedhore, ish-deputeti Oerd Bylykbashi deklaroi për gazetarët se votimi dhe numërimi elektronik është prej kohësh në platformën e PD dhe se ka propozime konkrete për sa i përket votimit dhe identifikimit biometrik.
“Votimi dhe numërimi elektronik është goxha i avancuar si propozim. Është një nga zgjidhjet që do na lejojë të luftojmë shitblerjen e votës, kontrollin e zgjedhësve nëpërmjet presionit dhe marrjes së kartave të identitetit, të luftojmë presionin dhe manipulimin që bëjnë qendrat e votimit, duke mbushur kutitë e votimit. Do bëjë të mundur heqjen e duarve të komisionerëve, të cilët me urdhër politik nga mazhoranca manipulojnë zgjedhjet dhe gjithashtu do të garantojë një numërim të besueshëm, në kohë shumë të shkurtër që garanton dhe një legjitimitet dhe besueshmëri të procesit”, u shpreh Bylykbashi.
Ai shton se zgjidhjet që propozon grupi i punës janë të avancuara dhe plotësisht të realizueshme, ndërkohë që pyetjes nëse mund të ketë një pikë takimi me mazhorancën, ai tha se “propozimi ynë është i qartë në tryezë, me planin 5-pikësh. Mazhoranca ka vazhduar në mënyrë të njëanshme për të gjetur zgjidhjet e saj të cilat janë krejtësisht të pabesueshme. Ajo që ne kemi bërë propozim është një mekanizëm i cili do të bëjë bashkë vullnetin politik të opozitës së bashkuar me kontributin, praninë dhe ekspertizën e partnerëve ndërkombëtarë. Deri më sot ju e keni parë që mazhoranca nuk dëgjon nga ai vesh. Për këtë arsye ne nuk mund të qëndrojmë. Opozita drafton zgjidhjet të cilat janë në përputhej të plotë me rekomandimet e OSBE/ODIHR”./ATSH/