Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak, ka fajësuar bandat kriminale për mbytjen e të paktën gjashtë refugjatëve afganë në Kanalin Anglez kur anija e vogël me të cilën po udhëtonin u përmbys në orët e para të së dielës.
“Përgjegjësia për tragjedinë që kemi parë në Kanalin anglez ditët e fundit është e bandave kriminale që shfrytëzojnë jetën e njerëzve për përfitime,” u tha gazetarëve një zëdhënës Sunak.
“Kjo është një tragjedi e tmerrshme dhe mendimet e presidentit janë para së gjithash me familjet dhe miqtë e atyre që humbën jetën. Qeveria duhet të veprojë urgjentisht dhe të marrë të gjitha masat e mundshme për mbylljen e kësaj rruge”, përfundoi ai.
Qeveria e Sunak është përballur me kritika të ashpra nga grupet e të drejtave të emigrantëve lidhur me politikën e saj për anijet e vogla që kalojnë Kanalin Anglez, pasi kohët e fundit ndaloi refugjatët që mbërrinin ilegalisht të kërkonin azil dhe nxiti planet për t’i dërguar menjëherë në Ruanda.
Të dy planet janë pezulluar përkohësisht në pritje të një vendimi gjyqësor mbi ligjshmërinë e tyre, por varkat e vogla nga Franca ende vazhdojnë të vijnë. Ka pasur gjithashtu kritika të forta për vendimin për të strehuar të paktën 500 emigrantë në “Bibby Stockholm” në Portland, Anglia jugperëndimore
50 migrantët e parë u sollën në bord, por, në një kthesë të paparashikuar që ekspozon sërish autoritetet, ata duhej të hiqeshin pasi u gjetën baktere në ujin e rrjedhshëm të anijes.
Edhe pse autoritetet përkatëse njoftuan të premten se do t’i dëgonin menjëherë emigrantët në një vend të ri të sigurt, raportet në Britani zbulojnë se ekzistenca e mikroorganizmit potencialisht vdekjeprurës dihej të paktën katër ditë më parë. Ministria e Brendshme njoftoi megjithatë se të gjithë refugjatët, kryesisht nga Afrika Sub-Sahariane, janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Në të njëjtën kohë, dhe në vazhdim të listës së gjatë të tragjedive që përfshijnë emigrantë dhe refugjatë, një varkë e vogël peshkimi prej druri, që transportonte një numër të panjohur njerëzish nga Senegali në Spanjë, u përplas me shkëmbinj pasi u ndoq nga roja bregdetare dhe u fundos.
Numri tragjik: 16 të vdekur. Anija nuk kishte pasur kohë të largohej nga ujërat e vendit afrikan, kur roja bregdetare vendase, në bashkëpunim me atë të Spanjës, e ndoqën në errësirë totale, duke rezultuar në fundosjen e saj pak jashtë kryeqytetit Dakar.
Përveç kësaj, të paktën pesë emigrantë tunizianë kanë vdekur dhe shtatë të tjerë janë zhdukur pas mbytjes së anijes në qytetin e Sfax, në Tunizinë qendrore-lindore, dje në mëngjes.
Kryeministri i Polonisë Mateusz Morawiecki propozoi dje mbajtjen e një referendumi në të cilin qytetarët do të pyeteshin nëse dëshironin që vendi të pranonte emigrantë të paligjshëm apo jo.
Morawiecki zbuloi në një fjalim të filmuar se data më e mundshme për referendumin është 15 tetori, në të njëjtën ditë me zgjedhjet parlamentare.
Pyetja, siç do të shfaqet në fletët e votimit, do të thotë: “A e mbështesni lejimin e mijëra emigrantëve të paligjshëm nga Lindja e Mesme dhe Afrika që po dërgohen në Poloni si pjesë e mekanizmit europian?