Kryengritësit vranë 17 ushtarë dhe plagosën 24 të tjerë në sulmin e parë të madh pas afro 6 muajsh kundër ushtrisë në Niger. Fuqitë perëndimore janë të shqetësuara se si pasojë e një grushti shteti nga garda elitare presidenciale muajin e kaluar, po dobësohet një aleat i rrallë kundër xhihadistëve të dhunshëm në rajonin Sahel të Afrikës Perëndimore.
Nigeri ishte një nga vendet e fundit demokratike në rajonin në jug të Saharasë. Franca dhe SHBA kanë rreth 2,500 personel ushtarak atje, të cilët po trajnonin forcat e Nigerit.
Franca kreu operacione të përbashkëta me ish-koloninë e saj, por që nga grushti i shtetit Parisi dhe Uashingtoni i kanë pezulluar operacionet ushtarake, duke i dhënë xhihadistëve më shumë hapësirë.
“Një detashment ushtarak u sulmua teksa lëvizte midis fshatrave Boni dhe Torodi në rajonin e Tillaberi“,- tha Ministria e Mbrojtjes në televizionin shtetëror. Të plagosurit u evakuuan në kryeqytetin, Niamey.
Vendet fqinje po kërcënojnë me veprime ushtarake kundër Juntës që kreu grushtin e shtetit. Mbështetësit e Juntës thanë të mërkurën se do të regjistroheshin vullnetarë për të luftuar, si dhe për të ndihmuar me nevoja të tjera, në mënyrë që Junta të ketë një listë gati në rast se do ti duhet të thërrasë njerëz. Nuk është e qartë se sa reale është mundësia e konfliktit rajonal.
Tensionet rajonale po thellohen pasi përplasja midis Nigerit dhe ECOWAS nuk tregon shenja qetësimi, pavarësisht sinjaleve nga të dyja palët se janë të hapura për zgjidhjen e krizës në mënyrë paqësore. Apnews