Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Ukrainës, Oleksandr Merezhko, i është përgjigjur të mërkurën kërcënimeve të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, sipas të cilit, “Ukraina do të humbiste gjithçka nëse e njeh Kosovën”.
Kreu ukrainas i komisionit të jashtëm, nëpërmjet një postimi në X (Tëitter) komenton se ishte tronditur nga mënyra krejtësisht e papranueshme, jodiplomatike me të cilën presidenti i Serbisë i paraqiti kërcënimet e tij.
Ai ka shkuar edhe më tej duke deklaruar se ato nuk janë thjeshtë kërcënime, por “shantazhe absolutisht të papranueshme”.
“Jam i sigurt se është e drejta jonë sovrane të vendosim nëse do ta njohim apo jo. Nuk i takon zotit Vuçiç të na mësojë, apo të na diktojë se çfarë të bëjmë apo që të na kërcënojë. Kjo është absolutisht tronditëse dhe e papranueshme”- shkruan kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Ukrainës, Oleksandr Merezhko në X.
Pak ditë më parë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se Ukraina “do të humbë brenda ditës gjithçka që ka në dorë”, nëse njeh pavarësinë e Kosovës.
Ai pretendoi madje se Ukraina do ta humbte plotësisht besueshmërinë e vet politike brenda ditës.
“Pas kësaj, si mund të thotë Ukraina se i përmbahet ligjit ndërkombëtar? Jam i bindur se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, nuk do ta bëjë këtë”,- tha me 8 gusht Vuçiç.