Megjithëse Bashkimi Europian thotë se nuk mund të caktojë afatet, BE-ja pret nga Kosova që t’i organizojë ato sa më shpejt.
Peter Stano, zëdhënësi i Brukselit për Punët e Jashtme, tha të enjten se mbajtja e zgjedhjeve në katër komunat me shumicë serbe duhet parë me njëfarë urgjence nga qeveria e Kosovës.
“Gjithçka që është në kuadër të dialogut nuk bëhet për të kënaqur Brukselin apo shtetet anëtare apo partnerët ndërkombëtarë, por për të përmirësuar jetën në Kosovë dhe Serbi dhe përparimin e mëtejshëm të dy palëve në rrugën drejt BE-së,” tha Stano.
Sipas zëdhënësit të politikës së jashtme europiane, Prishtina dhe Beogradi janë vënë në dijeni mbi nevojën për të zgjidhur shpejt tensionet dypalëshe.
“Prandaj, institucionet e BE-së, 27 vendet europianë dhe partnerët e tjerë, mbi të gjitha SHBA-ja, presin me ngut që të përfundojnë hapat e nevojshëm drejt qetësimit të tensioneve dhe kthimit në dialog. Nëse nuk ka përparim në dialog, nuk do të ketë përparim as në integrimin në BE,” u shpreh Stano.
Për katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës po punohet që të shkojnë në zgjedhje të parakohshme pas nënshkrimit të një peticioni.
Por dy nga kryetarët aktualë që përfaqësojnë Partinë Demokratike (PDK) shprehen se nuk e pëlqejnë largimin në këtë mënyrë.
Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, dhe ai i Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri, thonë se duan një marrëveshje mes kryeministrit Albin Kurti dhe PDK-së.
“Pyetjes se a është më mirë shkarkimi apo dorëheqja vullnetare, unë kam deklaruar se më mirë do të ishte dorëheqja vullnetare pas një marrëveshjeje politike, Qeveri-Partia Demokratike,” tha Zeqiri.
“Kjo mënyra e peticionit mua nuk më ka pëlqyer aspak, për shkak se pse me ia dhënë mundësinë dikujt tjetër të të shkarkojë, kur ne mundemi si kryetarë të komunave së bashku me kryeministrin të arrijmë një marrëveshje ndryshe për të mirën e qytetarëve… PDK-ja prej pasluftës vetëm njëherë i ka humbur zgjedhjet këtu në Komunën e Zveçanit. Gjithmonë kemi qenë të parët dhe shpresoj përsëri do të jemi,” shtoi Peci për KP.