Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se numri i serbëve që kanë dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës në veri, ka arritur në shtatë. Një ditë më parë është raportuar se tre pjesëtarë serbë të PK-së kishin dhënë dorëheqje nga ku institucion.
Në një konferencë për media, pas vizitës në qytetin e Klinës, Osmani ka thënë se fajtori për këto dorëheqje është në Beograd.
“Ka tashmë informata të konfirmuara, sipas hetimeve të institucioneve tona përgjatë këtyre javëve që, rrezikimi i këtyre pjesëtarëve, frikësimi, shantazhimi, vijnë drejtpërdrejt nga Serbia. Burimin e kanë në Serbi, ky shtet që fatkeqësisht vazhdon me agresion të hapur në raport me Kosovën, po vazhdon që nëpërmjet institucioneve të veta ilegale dhe kriminale në Kosovë t’iu bëjë presion qytetarëve serbë, të cilët janë pro-integrimit, të cilët janë pro-bashkëpunimit, dhe të cilët janë pro-shfrytëzimit të të drejtave që ua ofron atyre edhe kushtetuta, por edhe Marrëveshjet e Brukselit”.
Ajo i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që ta dënojë presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për, siç ka thënë ajo, shkeljen e Marrëveshjeve të Brukselit.
Mes tjerash, Osmani ka thënë se në bashkëbisedime private me zyrtarë ndërkombëtarë, ata e pranojnë se presioni ndaj policëve serbë në Kosovë vjen prej Serbisë dhe strukturave të saj.
“Veprime të tilla janë shkelje flagrante e Marrëveshjeve të Brukselit, të cilat edhe kanë paraparë që një numër i policëve serbë të jenë të komuniteteve, pra të jenë serbë, varësisht nga kompozicioni i komunave. Unë pres nga BE-ja që të ndërmarrë masa ndaj Serbisë dhe Vuçiqit për shkelje të marrëveshjes së Brukselit”, ka thënë mes tjerash Osmani.
Dorëheqjen e policëve serbë e kanë komentuar më 17 gusht edhe diplomatë ndërkombëtarë që i përfaqësojnë vendet e tyre në Kosovë.
Megjithatë, as Ambasada amerikane në Prishtinë dhe as Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) nuk i kanë përmendur arsyet që kanë rezultuar me dorëheqje.
Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, u është drejtuar policëve të dorëhequr përmes një letre, duke u thënë se e di saktësisht me çfarë presioni janë përballur ata.
“Fatkeqësisht, ndoshta nuk është asnjë serb i Kosovës që të paktën një herë në jetë të mos i ketë ndjerë personalisht kërcënimet e egra nga ‘forca e padukshme malore’, që shkatërron çdo vepër e çdo dëshirë për bashkëjetesë në Kosovën tonë të bukur, me metodat e saj shkatërruese”.
Rashiq ka thënë se do të angazhohet personalisht që t’iu ndihmojë serbëve në Kosovë të triumfojnë ndaj “frikës, sfidave dhe dyshimeve”. Ndërkaq, ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, shprehu shqetësimet për dorëheqjet e zyrtarëve serbë nga Policia e Kosovës.
“Është në interesin e komunitetit që policët serbë të Kosovës të vazhdojnë të punojnë në veri të Kosovës dhe që punën ta bëjnë të lirë nga frikësimet e jashtme dhe të brendshme”, shkroi ai në X, që më herët njihej si Twitter.
Rreth 550 policë serbë në veri – në komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – patën dhënë dorëheqje kolektivisht nga Policia e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar, si shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.
Pas dorëheqjeve, autoritetet në Kosovë patën shpallur konkurs për pranim të policëve të rinj, duke i punësuar 74 të tillë. Prej tyre, 46 është raportuar se kanë qenë nga komuniteti serb.
Integrimin e serbëve në Policinë e Kosovës e parasheh një marrëveshje e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, më 2013, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Dy vendet janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011. Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.