Federata Italiane e Futbollit u ka dhënë fund të gjitha dilemave, duke zyrtarizuar Luçian Spaletin si trajnerin e ri të përfaqësueses, pak ditë pas largimit të papritur të Roberto Mançinit nga drejtimi i saj.
Federata Italiane, nëpërmjet një komunikate ka bërë të ditur se ka gjetur akordin me Spaletin, teksa ai niste punën në ditët e para të shtatorit, kur do të bëhej edhe prezantimi i tij gjatë grumbullimit të përfaqësueses italiane për eliminatoret e Euro 2024, kur Italia luan ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Ukrainës.
“I japim mirëseardhjen Spaletit, kombëtarja kishte nevojë për një trajner të madh dhe jam shumë i lumtur që ka pranuar drejtimin teknik të të kaltërve. Entuziazmi dhe kompetenca e tij, do të jenë thelbësore për sfidat që presin Italinë në muajt në vijim”, tha presidenti i FIGC, Gabriele Gravina.