Deklarata e bërë nga Kryeministri Edi Rama në lidhje me punën e bërë nga SPAK dhe GJKKO në lidhje me koncesionin e sterilizimit dhe urdhër-arrestet e lëshuara, ka nxitur reagimin e kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi. Ky i fundit ka deklaruar se ishte ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që mbajti duart e qeverisë, larg nga drejtimi i SPAK.
Bardhi shprehet se nëse do të ishte për Kryeministrin Rama koncesioni i sterilizimit do të vijonte qetësisht, teksa ia atribuon meritat për drejtësinë, partnerëve ndërkombëtarë.
“Të ishte për Edi Ramën dhe PS, sot koncesioni i sterilizimit do të vazhdonte qetësisht të zhvaste paratë e qytetarëve shqipëtarë dhe Edi Rama do shëtiste studio më studio me setin e bisturive në dorë për ti bërë reklamë hajdutërisë. Ishte dhe është investimi i partnerëve ndërkombëtarë që drejtësia ti japë fund pandëshkueshmërisë.
Për Edi Ramën dhe PS, Ilir Beqaj i certifikuar në hajdutëri është emëruar drejtor i fondeve publike, si manovër për ti dhënë atij mbrojtje politike ndaj hetimeve të drejtësisë. Edhe pse nën hetim për një dëm miliona euro, Edi Rama vazhdon ta mbajë në detyrë, me shpresën se do ta shpëtojë nga drejtësia”, tha Bardhi.
Ky i fundit deklaroi më tej se Kryeministri Rama nuk ka asgjë në dorë për të ndalur drejtësinë.
Sikurse shprehet Bardhi “nëse do të kishte, askush prej miqve të tij nuk do ishte në burg. Atë që ka në dorë Edi Rama po e bën çdo ditë: po zhvat qytetarët me afera miliona euro, duke i varfëruar çdo ditë e më shumë dhe duke i dhënë Shqipërisë qeverinë më të korruptuar në 100 vite”.