Forcat e Moskës po rigrupohen në pjesët e okupuara të Ukrainës lindore përpara një ofensive të re, ka thënë një komandant i lartë ukrainas, sipas mediave të huaja.
“Pas një muaji luftimesh të ashpra dhe humbjeve të konsiderueshme në drejtimet Kupiansk dhe Lyman, armiku po rigrupon forcat dhe mjetet e tij, duke hedhur në të njëjtën kohë brigada dhe divizione të sapoformuara nga territori i Federatës Ruse”, shkroi në Telegram gjeneralkoloneli Oleksandr Syrskyi.
Syrskyi, i cili është komandanti i forcave tokësore të ushtrisë ukrainase, tha se qëllimi kryesor i këtyre masave ishte “rritja e nivelit të potencialit luftarak dhe rifillimi i operacioneve aktive sulmuese”.
Megjithëse nuk dha detaje të mëtejshme mbi rigrupimin, ai tha se forcat ruse vazhduan sulmet me artilerinë e rëndë, granatimet me mortaja dhe sulmet ajrore.
“Në kushte të tilla, ne duhet të marrim menjëherë të gjitha masat për të forcuar mbrojtjen tonë në zonat e kërcënuara dhe për të avancuar aty ku është e mundur,” tha ai.
Autoritetet rajonale në Ukrainë njoftuan një evakuim të detyrueshëm të civilëve frontit Kupiansk në fillim të këtij muaji, për shkak të bombardimeve të përditshme ruse.
Kujtojmë se që prej 24 shkurtit të vitit të kaluar, me mijëra njerëz, civilë dhe ushtarakë, kanë humbur jetë pas agresionit të pajustifikuar rus në Ukrainë.