Cilkloni Daniel që përfshiu Greqinë në orët e fundit ka lënë pas shkatërrime të shumta në qytetin-port të Volos-it në Gjirin Pagasetik dhe rajonet përreth.
Një person ka humbur jetën në këtë qytet dhe një tjetër është zhdukur. Ndërsa në Pelion shumë fshatra kanë pësuar dëme të mëdha dhe rrugët lidhëse mbeten ende të bllokuara.
Përrenjtë në këtë zonë u kthyen në një kohë të shkurtër në lumenj që shembën urat, ndërsa plazhet u mbushën me makina që u morën nga forca e ujit, shkruan gazeta greke Ekathimerini.
Meteorologët thanë se vetëm Zagora ranë më shumë se 500 milimetra shi në një ditë të vetme, 100 milimetra shi më shumë sesa sasia e reshjeve vjetore. Edhe veriperëndimi i Turqisë po ashtu është përfshirë nga shira të rrëmbyeshëm, çka ka bërë që ekipet e emergjencave së bashku me ushtrinë të vendosen në gatishmëri.
Dhjetëra fshatra janë mbuluar tashmë nga uji dhe balta, teksa helikopterët po shpëtojnë qytetarët nga çatitë e shtëpive.
Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme, 3 viktima janë regjistruar deri tani me një foshnjë vetëm 3-muajshe të marrë nga rryma e ujit, që përfshiu banesën e familjes Balcan.
Ndërkohë, Bullgaria ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme mes përmbytjeve të rënda që vranë dy persona në qytetin turistik jugor Tsarevo.
Agjencia e lajmeve BTA raportoi se njerëzit në zonë janë urdhëruar të evakuohen. Instituti Kombëtar i Meteorologjisë dhe Hidrologjisë ka dhënë paralajmërime për erëra të forta dhe stuhi në 15 rajone.