Muajt e verës kanë sjellë turistë të shumtë në qytetin e Shkodrës dhe kjo është reflektuar edhe në shifrat në rritje sa i përket vizitave në sitet arkeologjike apo edhe në pikat turistike të qytetit.
Megjithatë trendi në rritje i ardhjes së turistëve po vijon edhe përgjatë ditëve të muajit aktual, shtatorit, ku duket se rezervimet në disa prej strukturave akomoduese të qytetit janë të plotësuara.
”Përgjithësisht shtatori është një muaj që ka turistë, por këtë vit ka një numër më të lartë duke e krahasuar me vitet e tjera,” thotë Marjan Lukani, administrator hosteli.
”Ka pasur shumë rezervime dhe sezoni ka filluar më herët. Kam përshtypjen që do jetë edhe më mirë se vitet e tjera. Aktualisht jemi në shtator dhe kemi shumë rezervime,” shprehet Rino Nika, administrator hosteli.
Përveç përmirësimeve në shërbime dhe infrastrukturë, një ndikim pozitiv në rritjen e numrit të turistëve ka pasur edhe promovimi i vendit në disa nga mediet më të njohura ndërkombëtare.
“Besoj se ka ndikuar më shumë fakti i marketingut që kanë bërë në vende të ndryshme të botës,” thotë Rino Nika.
”Qëllimi kryesor është edhe pse sot kemi 10 turistë vitin që vjen të kemi më shumë,” thotë Marjan Lukani.
Në ndryshim nga vitet e kaluara duket se këtë vit turistët po preferojnë të kalojnë një kohë më të gjatë qëndrimi në qytet.
“Mendoj se kam bërë një zgjedhje të mirë dhe qyteti më duket shumë i bukur, edhe klima,” thotë një turist anglez, i cili ka zgjedhur të bëjë pushimet në Shqipëri.
Përveç historisë dhe kulturës Shkodra është një qytet që i ofron turistëve edhe bukuri të pafundme natyrore si: liqenin, malin dhe detin.