Mbijetesa e arbërishtes, presidenti Begaj: Gjuha, traditat e arbëreshëve rrezikohen

albnews
By
2 Min Read

Presidenti Bajram Begaj ka apeluar që të mbrohet gjuha, traditat, këngët dhe veshjet arbëreshe, pasi rrezikojnë t’i fshijë historia.

Kreu i shtetit mbajti një fjalim në forumin me temë “Mbijetesa e Arbërishtes në Shekullin XXI” të organizuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët.

Arbërishtja ka vite që renditet nga UNESCO si qartësisht e rrezikuar (Angl. definitely endangered) në Atlasin e gjuhëve të rrezikuara të botës. Kjo renditje do të thotë mes të tjerash se fëmijët arbëresh në shtëpi nuk e mësojnë më arbërishten si gjuhë mëme.

Renditja e UNESCO-s si edhe përfshirja e arbërishtes në projektin e OKB-së “Për Gjuhët në Rrezik” reflekton atë që studiues të mirënjohur shqiptarë e të huaj e kanë thënë e argumentuar prej kohësh në punimet e tyre.

Mbijetesa e arbërishtes pa dyshim do të ishte e paçmueshme për trashëgiminë shekullore arbëreshe, traditat, kujtimet dhe mënyrat e veçanta të mendimit e shprehjes,” u shpreh presidenti Begaj.

Ka disa faktorë që studiuesit argumentojnë se janë të nevojshëm për ringjalljen e arbërishtes, dhe presidenti Begaj deklaroi se ai vetë po punon në këtë drejtim.

Kështu është rritur vëmendja e kontributi i shtetit shqiptar ndaj diasporës historike shqiptare në përgjithësi dhe ndaj arbëreshëve të Italisë në veçanti.

Si President Republikës kam ndërmarrë nismën për mbrojtjen dhe promovimin e gjuhës dhe zhvillimin të librit shqip. Në këtë linjë ndihma e mbështetja ime për arbërishten do të jetë e pakursyer,” tha presidenti.

Kuvendi i Dytë i Studimeve Arbëreshe u mbajt në datat 4–5 shtator në Tiranë.

Ai mblodhi së bashku emrat të rëndësishëm në nivel ndërkombëtar të fushës së studimit dhe të hartimit të strategjive politikëbërëse për rijetëzimin e gjuhëve minoritare; studiuesit, përfaqësuesit e institucioneve evropiane mbi politikat gjuhësore si dhe përfaqësuesit e komunitetit arbëresh, të cilët pritet të sjellin ekspertizën e tyre dhe disa strategji bashkëkohore që kontribuojnë në ruajtjen e gjuhëve në rrezik, siç është rasti i arbërishtes.

Share This Article