Kryeministri i Indisë, Narendra Modi mbajti fjalimin e hapjes para emrit Bharat, jo Indi, gjë që pritet të ndezë spekulimet për ndryshimin e emrit, nga Indi në Bharat, që është mjft i populluar si emër në vend. Në samitin e G20-s në Nju Delhi me pjesëmarrje edhe të presidentit amerikan, Joe Biden dhe të kancelarit, gjerman, Olaf Scholz, India synon të forcojë rolin e jugut global. Kryeministri Modi dëshiron India të bëhet pikë reference për jugun global. Për Indinë ky samit është një mundësi e madhe për të treguar hocon ekonomik, demografik e teknologjik pas suksesit të fundit në hënë. Modi po orientohet nga SHBA.
Fokusi tek kriza e klimës dhe ajo e ushqimit
Në fjalën përshëndetëse të samitit që mbahet nën moton “Një Tokë, një Familje, një e Ardhme”, kryeministri i Indisë, e vuri thekson tek “një krizë botërore e besimit”. Lufta e ka shtuar këtë humbje të besimit, tha kryeministri i Indisë. Por ai u shpreh me besim, se “nëse mund të fitojmë mbi Covidin, mund të mposhtim edhe këtë krizë të dyanshme të besimit.”
Tema qendrore të samitit janë kriza e klimës dhe ajo e ushqimit, zhvillimi ekonomik dhe reforma e Bankës Botërore e FMN-së e propozuar nga presidenti amerikan, Joe Biden si dhe barra e borxheve të vendeve të varfra. Presidentja e KE, Ursula von der Leyen i bëri thirrje liderëve në samitin e G20-s t’i bashkohen një propozimi për të vendosur çmimin global të karbonit. Shumë vende përdorin këtë çmim për të ndihmuar arritjen e objektivave klimatikë.
Samiti i G20-s zgjerohet me Unionin Afrikan
Tek G20 bëjnë pjesë 19 shtete dhe Bashkimi Europian si organizatë rajonale. Në këtë samit G20 u zgjerua me një organizatë tjetër rajonale, Unionin Afrikan. “Me miratimin e përgjithshëm përshëndes kreun u Unionit Afrikan dhe e ftoj të zerë vend si anëtar i përhershëm i G20-s”, tha Modi dhe përqafoi kreun UA, presidentin e Komoreve, Azali Asoumani. “India kishte bërë propozimin që Unioni Afrikan të bëhej anëtar i plotë i G20-s”, tha Modi. Anëtarësimi i AU shihet si fitore diplomatike për kryeministrin e Indisë.
Ujdia në samit pritet të jetë e vështirë dhe nuk dihet, nëse do të ketë një deklaratë të përbashkët. Para fillimit të samitit, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen vuri kushte për një deklaratë të përbashkët. “E rëndësishme është që (…)të respektohen parimet bazë”, tha von der Leyen për ARD dhe ZDf, dy televizione gjermane. Tek këto parime bëjnë pjesë paprekshmëria e kufijve, por edhe mosnjohja ndërkombëtare e territoreve të aneksuara, u shpreh ajo me vështrim nga sulmi rus në Ukrainë. Këto parime bazë duhet të jenë në deklaratën përfundimtare.
Nuk pritet të gjendet një qëndrim i përbashkët për luftën në Ukrainë. Në asnjë nga samitet e këtij viti të G20-s nuk ka pasur një deklaratë përfundimtare që dënon pushtimin e Rusisë në Ukrainë, për shkak se Rusia dhe Kian kanë vendosur veton.
Në konkurrencë me Rrugën e Re të Mëndafshit disa shtete, sipas SHBA, duan të zgjerojnë lidhjet hekurudhore në Lindjen e Afërt dhe Azinë Jugore – me pjesëmarrje të BE. “Lidhja e këtyre rajoneve kyçe është sipas qëndrimit tonë një shans i madh”, tha zëvendëskëshilltari për sigurinë kombëtare, Jon Finer në samitin e G20-s në Nju Delhi. BE, India, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara, SHBA dhe partnerë të tjerë nënshkruajnë në samit një deklaratë të negociimit.