Presidenti francez Emmanuel Macron tha të dielën se G20, i cili u krijua për të zgjidhur çështjet ndërkombëtare ekonomike dhe jo politike, nuk ishte domosdoshmërisht vendi ku mund të pritej përparim diplomatik për çështjen e luftës në Ukrainë.
Ai shtoi se deklarata e liderëve të G20 pas samitit të kësaj fundjave nuk përbën një fitore diplomatike për Rusinë.
Deklarata, e cila u miratua të shtunën, shmang dënimin e Rusisë për luftën në Ukrainë, por thekson vuajtjet që dhuna u ka shkaktuar njerëzve dhe u bën thirrje të gjitha shteteve që të mos përdorin dhunën.
Ky G20 konfirmon edhe një herë izolimin e Rusisë. Sot, një shumicë dërrmuese e anëtarëve të G20 dënojnë luftën në Ukrainë dhe pasojat e saj”, tha Macron në një konferencë për shtyp pas ceremonisë së mbylljes së samitit.
Lidhur me klimën, Macron vlerësoi se rezultatet e samitit të G20 ishin “të papërshtatshme” dhe “i bëri thirrje të gjithëve të jenë vigjilentë” për nevojën për të vendosur synime më ambicioze.