Lufta kundër korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar do të thellohet, pavarësisht dhimbjeve e kostove. Kështu ka deklaruar kryeministri Edi Rama, referuar çështjes Beleri, sipas të cilit kjo luftë është e drejtë dhe e domosdoshme për Shqipërinë europiane e të të gjithë fëmijëve të këtij vendi.
“Ndonjë po thotë se kur vjen puna te ndonjë patate shumë e nxehtë në duart e drejtësisë, si ajo e zotit Beleri, unë duhet të ndërhyj e ta hedh pataten në det, por kjo nuk ka për të ndodhur kurrsesi. Dhe unë vetëm do të përsëris deri në bezdi për shumëkënd, se lufta kundër korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar vetëm do të thellohet, pavarësisht dhimbjeve e kostove, sepse kjo luftë është e drejtë dhe e domosdoshme për Shqipërinë Europiane të të gjithë fëmijëve të këtij vendi”.
Në një postim në Facebook, kreu i qeverisë shprehet se hetimi dhe ndjekja e pavarur penale e një sërë zyrtarësh të lartë të lidhur me pushtetin politik, janë prova e një ndryshimi epokal në vendin tonë.
“Shumica parlamentare dhe qeveria që unë drejtoj, kanë ideuar e mbështetur vendosmërisht një reformë aq të thellë dhe aq thellësisht europizuese të sistemit drejtësisë, sa që sot, për herë të parë në historinë e shtetit të saj, Shqipëria po e nxjerr kokën mbi ujin e ndenjur të pandëshkueshmërisë sistemike 100 e kusur vjeçare. Hetimi dhe ndjekja e pavarur penale e një sërë zyrtarësh të lartë të lidhur me pushtetin politik të radhës, përfshirë njërin prej zëvendëskryeministrave të mi të mëparshëm, janë prova kokëfortë e një ndryshimi epokal në jetën e vendit tonë. Shumë thanë se nuk do të ndodhte kurrë në Shqipëri që të prekeshin të pushtetshmit, por kjo tanimë është e qartë që po ndodh. Të tjerë thanë se qeveria do t’i kontrollonte gjithsesi organet e reja të drejtësisë, por kjo tanimë është e qartë që nuk ndodh”.
Sipas Ramës, hija e stereotipit se korrupsioni është mënyra e jetesës në Ballkan shtrihet deri mbi çatitë e zyrave të kryeqyteteve perëndimore.
“Fatkeqësisht, hija e stereotipit se korrupsioni është mënyra e jetesës në Ballkan dhe të gjithë janë njësoj, prandaj të gjithë duhen treguar me gisht, çfarëdo që të bëjnë për të provuar të kundërtën, shtrihet deri mbi çatitë e zyrave të kryeqyteteve perëndimore. Mungesa e sukseseve në hetimet, ndjekjet penale dhe gjykimet e korrupsionit në nivel të lartë, janë avazi që i përsëritet çdo vit nga të katër anët Ballkanit Perëndimor në tërësi dhe Shqipërisë po njësoj. Raportet copy paste nga viti i mëparshëm janë bërë modë dhe institucione të rëndësishme apo organizata me emër të madh, i rishtypin ato me ndonjë të re që është po aq e vjetër sa të mëparshmet, bazuar në anketime e perceptime që mblidhen nën hijen e atij stereotipi”.
Rama thekson se nuk po e bën këtë luftë për Brukselin, Berlinin apo Uashingtonin, por për fëmijët e Shqipërisë.
“Por fatmirësisht, ne e dimë më mirë se kushdo edhe sa shumë gjëra kanë ndryshuar, po edhe sa shumë gjëra duhen ndryshuar akoma dhe nëse ka një vend në këtë rajon, i cili meriton shumë më tepër respekt, madje edhe lëvdata inkurajuese për faktet e lidhura me këtë luftë, ky vend është Shqipëria. Megjithatë, të gjithë duhet ta dinë, se edhe pse disa fjalë të mira dhe plotësisht të merituara, do të na gëzonin si shenjë respekti, përsëritja e të njëjtit avaz nuk na mërzit fare, sepse ne nuk po e bëjmë këtë luftë as për Brukselin, as për Berlinin apo Uashingtonin, po për fëmijët e sotëm të Shqipërisë së nesërme”.