Projekti për menaxhimin e mbetjeve jo me anë të djegies por riciklimit i mbështetur nga qeveria Gjermane ka marrë “dritën jeshile:” në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin.
“Qëllimi i këtij projekti është zgjerimin e shërbimeve të orientuara drejt ekonomisë qarkulluese ne sektorin e mbetjeve dhe ujërave të zeza. Implementimi i projektit do të përfshijë fillimisht 6 bashki por vendndodhja e saktë do të komunikohet pas disa vendimeve teknike që do të merren. Zbatimi i projektit do të fillojë brenda vitit dhe do të zgjasë deri në shkurt 2026”, tha Almira Xhembulla, zv/ministre e Turizmit dhe Mjedisit.
Teksa e vlerësuan pozitivisht nismën, përfaqësuesit e opozitës në komision ngritën pikëpyetje mbi drejtimin final që vendi ka vendosur të marrë për menaxhimin e mbetjeve.
“Vetë qeveria është e qartë me drejtimin që ka zgjedhur për menaxhimin e mbetjeve. u bënë 10 vite që as unë si deputet, por besoj edhe qytetarët nuk e kanë kuptuar drejtimin që do marrim për të menaxhuar mbetjet”, tha Lefter Gështenja, deputet i Partisë Demokratike.
Ndërsa Luljeta Bozo, pjesë e mazhorancës kërkoi më shumë informacion lidhur me mënyrën se si projekti do t’i shërbejë agroturizmit.
“Si mund të lidhet më praktikisht turizmi në zonat rurale me kompostimin e mbetjeve organike dhe ato të të tjera llojeve”, tha Luljeta Bozo, deputete e Partisë Socialiste.
Përgjigje këtyre pyetjeve iu përpoq t’iu jepte zv/ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Almira Xhembulla. “Ne kemi një strategji të mirëfilltë për të zgjidhur problemin e menaxhimit të mbetjeve në vend dhe kjo është e dokumentuar”, tha Almira Xhembulla, zv/ministre e Turizmit dhe Mjedisit.
Zbatimi i projektit, që pritet të nisë këtë vit, parashikohet të financohet me një kredi me interesa të leverdishëm nga Banka Gjermane prej 50 milionë eurosh, dhe përmes tre granteve me vlerë 16 milionë euro.