Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka komentuar rindërtimin e shkollës së vetme shqipe në fshatin Dacaj, në Rozhajë të Malit të Zi.
Në një reagim në rrjetet sociale, Meta ka falenderuar Kryeministrin Abazoviç dhe institucionet e Malit të Zi, “që i dhanë sërish jetë kësaj vatre shumë të rëndësishme arsimore për shqiptarët atje”
Ish-presidenti Meta ndër të tjera shprehu dhe urimet për fëmijët me kombësi shqiptare të kësaj treve, ndërsa ka theksuar se “rihapja e shkollës në gjuhën shqipe në Rozhajë do të japë kontribut në forcimin e identitetit tonë kombëtar”.
Reagimi i Metës
Rindërtimi i shkollës së gjuhës shqipe në fshatin Dacaj në Rozhajë të Malit të Zi është një lajm shumë i gëzuar.
Së bashku me urimin për një vit të mbarë shkollor, jam i lumtur që më në fund fëmijët me kombësi shqiptare të kësaj treve patriotike do të rikthehen në bankat e shkollës për të mësuar me dashuri gjuhën, kulturën dhe historinë kombëtare.
Një falenderim për Kryeministrin Abazoviç dhe institucionet e Malit të Zi që i dhanë sërish jetë kësaj vatre shumë të rëndësishme arsimore për shqiptarët atje dhe e realizuan këtë kërkesë time të hershme.
Rihapja e shkollës në gjuhën shqipe në Rozhajë jam i bindur se do të japë kontribut në forcimin e identitetit tonë kombëtar dhe padyshim më shumë kuptim ëndrrave dhe së ardhmes së fëmijëve shqiptarë të kësaj treve. Ndaj mezi po pres të rikthehem sërish në Dacaj!