KUKES – Qytetarët e Kukësit i drejtohen nesër kutive të votimit, në zgjedhjet e pjesshme për zgjedhjen e kryebashkiakut të ri.
Kjo e shtunë shënon heshtjen zgjedhore, ndërsa gjithçka është gati për rivotimin e ditës së diel.
Janë në total 45 mijë 946 qytetarë me të drejtë vote, që të dielën i drejtohen kutive të votimit në 74 qendra.
Ata do të kenë vetëm një fletë votimi, ku do të jenë të renditur dy kandidatët e vetëm në garë. Numrin 1 e mban Albert Halilaj i socialistëve, ndërsa numrin 2 Emri Vata i koalicionit “Bashkë fitojmë”.
Ditën e djeshme në Kukës kanë mbërritur materialet zgjedhore që janë transportuar nga mjetet e ushtrisë të shoqëruara nga policia e shtetit dhe janë vendosur në palestrën e shkollës 9 vjeçare “Lidhja e Prizrenit”.
Kukësi shkon në zgjedhje më 24 shtator, pas video skandalit ku ish-kryebashkiaku Safet Gjici shfaqet duke kryer marrëdhënie intime me Alma K. brenda në ambientet e zyrës së bashkisë. Prej 23 qershorit ndodhet në paraburgim dhe akuzohet nga SPAK për “korrupsion pasiv”.
Safet Gjici akuzohet se gjatë kohës që ka qenë ish kryebashkiak i Kukësit favorizoi Alma K., duke i ofruar mbështetje financiare, me vendim të Këshillit Bashkiak, mbi një projekt për strehimin dhe kujdesin ndaj qenve endacakë në qytet.