Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, gjendet në Serbi dhe do të merret në pyetje nga organet serbe.
“Ai definitivisht do t’i përgjigjet ftesës nga autoritetet kompetente në Serbi. Republika e Serbisë dhe autoritetet kompetente do të bëjnë punën e tyre”, tha ai.
Në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë, Vuçiq tha se Radoiçiqi gjendet në territorin “e Serbisë qendrore” dhe mohoi se është i plagosur.
Edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë Serbe, Petar Petkoviq, hodhi poshtë pretendimet e bëra nga ministri për Punë të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, se nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, gjendet në spitalin ushtarak në Beograd.
“Sveçla gënjeu se Millan Radoiçiq është shtrirë në spitalin ushtarak në Beograd”, tha Petkoviq përmes një deklarate më 27 shtator, shkruan REL.
Një ditë më herët, ministri Sveçla gjatë një interviste deklaroi se Radoiçiq – që ai tha se ishte udhëheqës dhe pjesëmarrës në sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit – “ka shumë gjasa që është në spitalin në spitalit ushtarak në Beograd”.
Radoiçiq është nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Më 26 shtator, Sveçla publikoi një video të incizuar me dron, që tha se shfaq Radoiçiqin e armatosur duke qëndruar në manastirin në Banjskë me një grup personash të armatosur dhe të veshur me uniforma ushtarake.
Në Serbi, vetëm ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ka komentuar për këto pretendime, duke thënë se ajo video “duket” se nuk ishte incizuar në ditën kur ndodhi sulmi në veri të Kosovës.
“Nuk kam asnjë informacion nëse [Radoiçiqi] është në atë video apo jo, vërtetë nuk e di”, tha Daçiq për Radio Televizionin e Serbisë më 26 shtator.