Kryeministri britanik, Boris Johnson dhe kreu i opozitës laburiste, Jeremy Corbyn, u përballën dje në mbrëmje për Brexit, në debatin e parë televiziv duke shpresuar për të siguruar disa vota para zgjedhjeve legjislative të 12 dhjetorit.
“T’i japim fund pasigurive dhe vonesave, pengesave dhe ndarjeve”, theksoi kreu i qeverisë konservatore, ardhur në pushtet në fund të korrikut duke e pasqyruar disa herë premtimin e tij të fushatës për realizimin e Brexit-it, tre vjet e gjysmë pas referendumit në qershor 2016, që përfundoi me votimin e 52% të britanikëve për t’u larguar nga BE.
Ai po mbështetet në zgjedhje për të marrë një shumicë në Parlament që do t’i mundësonte votimin e marrëveshjes për daljen nga Bashkimi Europian, që ai e negocioi me vështirësi me Brukselin.
“Sapo të mundësojmë kalimin e kësaj marrëveshjeje në Parlament dhe ne mund ta bëjmë atë në javët e ardhshme, ne do të mund të merremi me prioritetet e popullit”, theksoi Johnson.
Kryeministri është angazhuar për të lënë BE-në deri në fund të janarit dhe më pas të krijojë një marrëveshje të re tregtare me BE-në para përfundimit të periudhës së tranzicionit parashikuar deri në dhjetor 2020.
“Ju nuk do ta bëni këtë për disa muaj dhe ju e dini mirë këtë”, iu kundërpërgjigj Corbyn duke theksuar se duheshin të paktën shtatë vite negociata për të arritur një marrëveshje tregtare, shumë më tepër se periudha e parashikuar e tranzicionit.
Me dokumente në dorë, Jeremy Corbyn akuzoi Boris Johnson se po kryente takime sekrete me SHBA-në për të hapur,për kompanitë farmaceutike amerikane, shërbimin publik shëndetësor, NHS.
“Një shpikje absolute”, është mbrojtur Boris Johnson.
Debati, që zgjati një orë, ishte përballja e parë e drejtuesve të dy partive kryesore politike britanike në televizion.
Një sondazh i realizuar nga “YouGov” menjëherë pas debatit televiziv i vendosi Boris Johnson dhe Jeremy Corbyn shumë pranë me një rezultat të ngushtë (51% kundër 49%)./