Botërori i vitit2030 do të jetë unik. Jo vetëm për faktin se shënon 100 vjetorin e aktivitetit të parë të këtij lloji, por edhe se mund të luhet në tre kontinente të ndryshme.
FIFA nuk ka bërë zyrtare ende se ku do të luhet faza finale e turneut, por një njoftim i Konfederatës së Futbollit të Amerikës së Jugut, CONMEBOL, lë të kuptohet se vendimi është i tillë.
Presidenti i CONMEBOL, Alehandro Domingues, si dhe ai i Federatës Argjentinase, Alehandro Tapia, kanë publikuar mesazhe në rrjete sociale ku theksojnë se aktiviteti “do të fillojë” në Amerikën e Jugut, ashtu si edicioni i parë.
“Besuam në gjëra të mëdha. Botërori 100-vjeçar i 2030 do të fillojë aty ku nisi gjithçka. Uruguai, Argjentina dhe Paraguai do të jenë vendet ku zhvillohen ndeshjet hapëse të Botërorit”, shkruante Dominguez.
“2030 Argjentina, Uruguai dhe Paraguai do të inaugurojnë Botërorin. Argjentina do të luajë ndeshjen e parë të fazës së grupeve si pritëse në shtëpinë e saj, para njerëzve të saj”, shkruante Tapia.
Postime që lënë të kuptohet se vetëm pjesa e parë e aktivitetit do të zhvillohet në Amerikën e Jugut, ndërsa pjesa tjetër, do të zhvendoset në vendet që janë rivale me kandidaturën e tyre për zhvillimin e aktivitetit në vitin 2030. Ato janë Spanja, Portugalia dhe Maroku që kanë paraqitur një kandidaturë të përbashkët, e kësisoj, do të kenë mundësinë që edhe ata të presin ndeshje të turneut. Në këtë mënyrë, bëhet e mundur që sfidat të luhen në Amerikën e Jugut, Europë dhe Afrikë njëkohësisht, si asnjëherë më parë.