Jo të gjitha viktimat e aksidentit vdekjeprurës të autobusit të së martës në Venecia janë identifikuar edhe gati 24 orë pas aksidentit tragjik. Kjo u bë e ditur nga një prokuror që po merret me çështjen.
Mostrat e ADN-së mund të përdoren për të konfirmuar identitetin e disa prej 21 të vrarëve që nuk mbanin dokumente personale, tha Bruno Cherchi.
Autobusi elektrik u përplas të martën në mbrëmje me një pengese dhe ra pothuajse nga 15 metra lartësi në Mestre, e cila lidhet me Venecian nga një urë, shkruan BBC.
Sipas zyrtarëve, tre fëmijë, përfshirë një foshnjë, ishin në mesin e viktimave. Autobusi po transportonte 39 turistë nga qendra e Venecias për në një kamping. Kryebashkiaku Luigi Brugnaro e përshkoi aksidentin e ndodhur si një “tragjedi e madhe”.
“Një skenë apokaliptike, që nuk ka fjalë”, tha ai në rrjetet sociale.
Pamjet e CCTV treguan se automjeti po parakalonte një autobus tjetër përpara se të rrëzohej nga muri mbrojtës. Një i shpëtuar foli për një “tragjedi të rinjsh, pasi disa ishin shumë të rinj”.
Mësohet se janë plagosur 15 persona, pesë prej tyre në gjendje të rëndë. Zyrtarët e Venecias thanë se pasagjerët ishin ukrainas, austriakë, spanjollë dhe turistë të tjerë të huaj.
Midis të plagosurve ishin edhe dy 16-vjeçarë dhe dy fëmijë më të vegjël, tha guvernatori lokal. Dy vëllezër gjermanë, shtatë dhe 13 vjeç, po trajtoheshin për kocka të thyera në spitalin në Treviso aty pranë. Prindërit e tyre mbetën të vrarë nga aksidenti.
Prokurori i Venecias Bruno Cherchi tha se vetëm tre ose katër të mbijetuar deri më tani kishin qenë në gjendje të bisedonin me hetuesit deri të mërkurën pasdite.
Autobusi u përplas rreth orës 19:45 të martën. Me sa duket ai ishte marrë me qira nga një kompani vendase për të marrë turistët nga qendra historike e Venecias dhe për t’i çuar në një kamping në lagjen e afërt Marghera.
Dëshmitarët panë autobusin duke u gërvishtur përgjatë shiritit mbrojtës në mbikalim për 50 metra, përpara se të binte në tokë, shtoi prokurori. Kompania e autobusëve theksoi se automjeti 13-tonësh ishte elektrik, duke mohuar raportet e mëparshme se punonte edhe me gaz metan.
Komandanti i brigadës së zjarrfikësve Mauro Longo tha për faqen e internetit Il Gazzettino se bateritë e autobusit morën flakë dhe e bënë detyrën e pastrimit të automjetit një operacion kompleks.
Dëshmitarët thanë se mund të dëgjonin njerëzit duke bërtitur, por flakët ishin shumë të forta. Një punëtor 27-vjeçar nga Gambia dhe një koleg ishin ndër personat e parë që arritën në vendngjarje.
Ai tregoi se si kishte nxjerrë nga autobusi tre ose katër veta, mes tyre edhe një vajzë të re. Një burrë i quajtur Leonardo tha se dëgjoi zhurmën e frenimit të fortë përpara zhurmës së përplasjes dhe ai nxitoi të zbulonte se çfarë kishte ndodhur.
“Doja të ndihmoja”, tha ai për uebsajtin La Presse, “por u pengova nga një miku im dhe një police, sepse autobusi ishte ende në flakë dhe rrezikonte të hidhej në erë”.
Ajo që është e paqartë është se përse autobusi u largua nga mbikalimi në një pjesë të tatëpjetë të rrugës dhe kaloi nëpër një pengesë metalike. Policia po shikon videon nga kamerat e sigurisë pranë vendit të aksidentit.
Shoferi 40-vjeçar, Alberto Rizzotto, kishte punuar për kompaninë e autobusëve për shtatë vjet dhe nuk kishte asnjë tregues në rrugë se ai ishte përpjekur të frenonte para përplasjes. Në postimin e tij të fundit në Facebook, ai tha se po drejtonte një “anije për në Venecia”.
Kreu i rajonit të Venetos, Luca Zaia, tha se “gjithçka tregon” se shoferi u sëmur në momentet përpara se të humbiste kontrollin e autobusit. Megjithatë, ai shtoi se ishte e kujdesshme të mos spekulohej për shkaqet e aksidentit.
Massimo Fiorese, nga kompania e autobusëve La Linea, tha se automjeti ishte më pak se një vit i vjetër dhe shoferi me përvojë të lartë.
“Ka një video të autobusit pak para se të bjerë,” tha ai për agjencinë e lajmeve Ansa. “Mjeti vjen, ngadalëson shpejtësinë dhe frenon. Është pothuajse në ndalesë kur përplaset me muret mbrojtëse. Unë mendoj se shoferi duhet të jetë sëmurë, sepse ndryshe nuk mund ta shpjegoj”.
Zjarrfikësit përfundimisht e larguan autobusin e shkatërruar nga vendi i ngjarjes herët të mërkurën. Një pikë pritjeje me personel psikologë dhe psikiatërsh është ngritur në një spital aty pranë për të ofruar mbështetje për familjet e viktimave.
Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni tha se mendimet e vendit ishin me viktimat, familjen dhe miqtë e tyre.