Kancelari gjerman, Olaf Scholz i ka dënuar sulmet e militantëve të Hamasit kundër Izraelit.
“Lajme tmerruese na mbërrijnë sot nga #Israel. Goditjet me raketa nga Gaza dhe shkallëzimi i dhunës na trondisin thellësisht. Gjermania i dënon këto sulme të Hamasit dhe qëndron në krah të Izraelit”, shkroi Scholz në platformën X.
Sulmi është dënuar edhe nga ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock.
“Unë i dënoj ashpërsisht sulmet terroriste nga Gaza mbi Izraelin. Dhuna dhe raketat kundër të pafajshmëve duhet të ndalin menjëherë. Izraeli ka solidaritetin tonë të plotë dhe të garantuar nga e drejta ndërkombëtare që të mbrohet kundër terrorit”, shkroi Baerbock në platformën X, ish-twitter.
Një reagim ka pasur edhe nga presidenti francez, Emmanuel Macron.
“I dënoj fuqishëm sulmet terroriste që po zhvillohen kundër Izraelit. Po ashtu reagime vijnë Bashkimi Europian, që dënoi sulmet e Hamasit radikal-islamik. BE ka shprehur solidaritetin me Izraelin. “Unë i dënoj ashpërsisht sulmet e kryera nga terroristët e Hamasit kundër Izraelit. Bëhet fjalë për terrorizëm në formën e tij më të shëmtuar”, shkroi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen në platformën X. Kurse i ngarkuari i BE për Politikën e Jashtme, Josep Borrell deklaroi se “BE shpreh solidaritetin me Izraelin në këtë kohë të vështirë”. Edhe presidenti i Këshillit të BE, Charles Michel i dënoi sulmet.
Ministri i Jashtëm britanik, James Cleverly i quajti “sulme të tmershme” të Hamasit ndaj civilëve izraelitë.
Edhe SHBA e ka dënuar sulmin me raketa dhe ka kërkuar “nga të gjitha palët që të heqin dorë nga dhuna”. Ministri amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin tha se duan të sigurojnë se “Izraeli i ka të gjitha mjetet e nevojshme për vetëmbrojtje”.
Reagime ka pasur edhe nga Ukraina.