Një avion i kompanisë ajrore Air Montenegro me dhjetëra udhëtarë në bord, përfshirë nga Kosova, është ulur në Podgoricë pas fluturimit nga Izraeli të martën në mëngjes. Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi njoftoi në rrjetin social X se “101 pasagjerë mbërritën në Podgoricë nga Izraeli, nga vende si Mali i Zi, Shqipëria, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Kosova, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Sllovenia, Serbia dhe Suedia”. Më 9 shtator, avioni embraer 195 i kishte dërguar në Izrael 116 turistë izraelitë që po qëndronin në Mal të Zi. Fluturimi i evakuimit për në Podgoricë u krye në orën 03:17 të mëngjesit të sotëm.
Pas përcaktimit të listës së shtetasve malazezë që aplikuan për kthim, lista e pasagjerëve u zgjerua duke përfshirë pasagjerët që prisnin evakuimin nga disa vende të tjera dhe në komunikim me autoritetet e atyre vendeve. Siç njofton Ministria e Punëve të Jashtme, për gjashtë shtetas malazezë që ndodhen në qytetin Eilat, në jug të Izraelit, dhe të cilët për arsye sigurie nuk kanë mundur të udhëtojnë në Tel Aviv dhe të hipin në këtë fluturim, Ministria i ka lejuar kalimin e kufirit me Jordaninë dhe transferimi në aeroportin më të afërt atje.
Izraeli shpalli gjendje lufte pasi u sulmua nga militantët palestinezë të Hamasit më 7 tetor. Si kundërpërgjigje, ushtria izraelite filloi të bombardonte Rripin e Gazës. Më shumë se 1.600 njerëz u vranë nga të dyja anët.