Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka mirëpritur vendimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për t’i reduktuar takimet periodike për misionin e UNMIKut në Kosovë.
Zëvendëskryeministri Hoxhaj theksoi se misioni i UNMIK-ut është kryer një dekadë më parë dhe dëshmia për këtë është ndërtimi i suksesshëm i shtetit në Kosovë.
Në një postim në Twitter, Hoxhaj shkroi se Kosova duhet të jetë anëtare e OKB-së në mënyrë që kjo organizatë ta ketë një rol të ri në Kosovë, njësoj sikurse në vendet e tjera.
“Mirëpresim vendimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për t’i rralluar takimet periodike për UNMIKun. Ky mission ka përmbushur mandatin e tij një dekadë më parë dhe dëshmia më e mirë për këtë është ndërtimi i i suksesshëm i shtetit dhe paqes në shtet. Kosova duhet të jetë anëtare e OKB-së në mënyrë që kjo organizatë ta ketë një rol të ri në vendin tonë, njësoj sikurse në vendet e tjera”, ka shkruar zëvendëskryeministri Hoxhaj.
Këshilli i Sigurimit mori vendim që katër mbledhje në vit për Kosovën janë të tepërta, duke pasur parasysh që situate në Kosovë është e qetë. Presioni për reduktimin e mbledhjeve erdhi nga ana e Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa u kundërshtua ashpër nga Rusia dhe Serbia.