Ditën e sotme është mbajtur seanca për tragjedinë e Gërdecit në SPAK, ndërsa raportohet se janë marrë në pyetje edhe dëshmitarët e parë lidhur me rastin.
Deklaratat e dëshmitarëve:
Drita Cani: Kam punuar në fabrikën e demontimit të armëve, në qeshur 2007 kam nisur. Kam punuar për 4-5 muaj. Ditën e shpërthimit nuk kam qenë në punë, pasi isha operuar dhe atë ditë në vendin tim ishte goca. Aty kam punuar unë, djali dhe bashkëshorti. Nuk kemi pasur kontrata pune, kishim vetëm një përgjegjës me emrin Vangjel. Ne na kishte punësuar një person me emrin Dritan. Municioni vinte me makina të ushtrisë. Unë me familjarët e mi merreshim me çmontimin e predhave. Ne i shkarkonim nga kamionët hapnim arkat dhe më pas me mjete të ndryshme si sqeparë dhe dalta i hiqnim diabolat dhe me çekiç bënim nxjerrjen e barutit. Pasi bëhej ndarja predhat largoheshin me fadroma ndërsa baruti futej në thasë dhe dërgohej tek magazina. Pyetjes së avokatëve se çfarë bëhej me barutin dhe momentin e shpërthimit Drita Cani i është përgjigjur: se di çfarë bëhej me barutin, por sipas asaj çfarë më ka thënë goca flaka ka nisur tek dera e magazinës ku dërgohej baruti.
Cani: Ishte punë e rrezikshme, por ne besonim tek shteti se shteti na solli atje, rregulla në punë nuk kishte, nuk na kanë kërkuar dokumente kur kemi nisur punë. Fatmir Mediun se kam parë kurrë dhe as ushtarakë.
Prokuroria e cila përfaqësohej nga Klodian Braho dorëzoi për gjykatën dëshminë e plotë të Drita Canit të dhënë në qershor të 2008.
Alketa Hazizi: Kam punuar për disa muaj, nga shpërthimi më ka humbur jetën vjehërri. Nuk kishim kontrata pune dhe nuk kishim bërë trajnime se si bëhej çmontimi i armëve. Në fillim bashkë me burrin dhe vjehrrin e kemi nisur duke çmontuar fishekë dhe më pas kemi kaluar tek predhat. Procedura ishte e njëjtë i çmontonim me çekiçë u hiqnim diabolën dhe më pas predhat merreshin me fadromë ndërsa baruti futej në thasë dhe dërgohej në magazinë. E gjithë fusha ishte e mbushur me barut, nuk e kuptova nga dolën flakët vetëm kam dëgjuar të bërtiturat, flakë flakë, ngrita kokën dhe pashë që flaka ishte tek thasët e barutit. Flakët ishin të larta dhe nuk kishim mundësi që ta shuajmë. Më pas të gjithë kemi tentuar që të largohemi me vrap që të shpëtojmë.
Pyetjeve të avokatëve:
Ne i mbushnim thasët me barut dhe i transportonim me karroca, dëgjova ulërimat, aty kam parë flakët, isha në distancë gati 10 metra nga flakët. Zjarri ishte në pjesën e poshtme të fabrikës. Unë njoh vetëm Dritan Minxollin dhe Vangjelin. Duke ikur kam shkelur dhe me viktima, në afërsi të portës kryesore jam rrëzuar, e shikoja që po merrja flakë por nuk mund të largohesha kam pasur 32% të trupit të djegur. Fatmir Mediun se kam parë as e njoh. Aty kam patë një person tjetër emri s’më kujtohet. Më pas përmend Mihal Delijorgjin.
Zamira Durdaj ka dorëzuar në gjykatë dy fletoret e klasës së parë të djalit të saj ajo i kërkoi trupës gjykuese se kërkon llogari pse fletoret janë bosh dhe vendimin ta shkruajnë aty. Më pas i janë dorëzuar nga stafi i gjykatës.
Zamira Durdaj: Babi im i ndjerë më kishte thënë se aty kishte pasur edhe më herët zjarre, por janë shuar. E dija që aty ishte me rrezik por askush nuk na dëgjonte, sepse edhe fshatarët mund ta merrnin si një sulm ose zili pse ata punojnë aty. Unë në atë kohe nuk kisha ku të shkoja sepse nuk i njihja këta zotërinjtë këtu (gazetarët) këta më kanë qëndruar afër këto 15 vjet.
Në nisje të seancës avokatët e Mediut kishin një kërkesë më tre pika kryesore e sqaruar në 21 faqe. Kërkesa e tyre lidhej faktin që gjykata duhet të shprehet me vendim të ndërmjetëm se përse ka refuzuar thirrjen e 6 ekspertëve që kanë bërë aktin e ekspertonin dhe faktin që ka refuzuar kryerjen e një eksperimenti hetimorë. Po ashtu pranimin e dëshmitarëve të mbrojtjes të cilët gjykata i ka cilësuar si persona politik. Avokatët kanë sqaruar në kërkesë se përse janë të rëndësishme personalitetet e huaja për këtë çështje.