Presidenti amerikan, Joe Biden ka zhvilluar një telefonatë me Papa Françeskun pasditen e së dielës, ku diskutuan për konfliktin e vazhdueshëm në Lindjen e Mesme midis Izraelit dhe grupit islamik palestinez Hamas, tha Shtëpia e Bardhë dhe Vatikani në deklarata të veçanta, raporton Reuters.
Ata diskutuan nevojën për të parandaluar përshkallëzimin dhe për të punuar drejt një paqeje të qëndrueshme në Lindjen e Mesme. Më herët, Vatikani tha se telefonata, e cila zgjati rreth 20 minuta, u përqendrua në “situatat e konfliktit në botë dhe nevojën për të identifikuar rrugët drejt paqes”.
Ata diskutuan gjithashtu vizitën e fundit të Biden në Izrael dhe përpjekjet për dërgimin e ushqimit, ilaçeve dhe ndihmave të tjera humanitare në Gaza, sipas Shtëpisë së Bardhë. Papa ka bërë disa herë thirrje për lirimin e pengjeve të marra nga Hamasi gjatë sulmit të 7 tetorit.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të dielën se pas lirimit të dy shtetasve amerikanë të premten, Shtetet e Bashkuara shpresonin për lirimin e më shumë pengjeve nga Hamasi.
Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor, duke vrarë mbi 1400 njerëz. Izraeli që atëherë është kundërpërgjigjur me sulme ajrore vdekjeprurëse në Gaza, një rrip toke 45 km i gjatë dhe shtëpia e 2.3 milionë njerëzve. Gaza drejtohet që nga viti 2007 nga Hamasi. Sulmet ajrore të Izraelit kanë vrarë mbi 4,700 palestinezë