Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së përbashkët mes deputetëve të Rithemelimit dhe Gazment Bardhit. Berisha tha se do të vijojnë protestën në parlament derisa të kthejnë pluralizmin. Sa i takon përplasjes fizike mes deputetit të Rithemelimit Bledion Nallbati dhe atij socialsit Vullnet Sina, Berisha thotë se fajin e kishte Sina pasi u përpoq të ndërprenë protestën e opozitës.
“Dënoj çdo provokim që bëhet në kohën që ne jemi në protestë në parlament. U kërkoj deputetëve socialistë mos merrni rolin e provokatorit. Nëse ne protestojmë për të drejtat kushtetuese minimumi është që të respektoni protestën. Mos të ndodhë si dje që ata merrnin fjalën si e si të zhurmonin protestën tonë. Kjo i turpëron ata. Ne po protestojmë për ekzistencën e parlamentit, pluralizmit. Përgjigja do jetë publike. Rama ka zgjedhur taktikë të mbyllë parlamentin në mënyrë që ta bëjë të paqenë parlamentin. Do ketë një seancë me datë 2 dhe seancën tjetër me datë 22. Jemi të betuar që do rivendosim të drejtat tona kushtuese. Jo me dhunë, dhunën e nisi ai tjetri i cili për të thyer protestën tonë, ju nënshtruar kryetares së parlamentit që e mbushi me gardistë dhe kërkonte t’i kundërvihej protestës sonë. Të tjerat i ekzagjeruan mediat dhe ai nuk u godit. Pati përplasje fizike se u vërsul drejt tij. Shkeli moralisht çdo gjë, ne në protestë mori fjalën për të na prish protestën tonë. Ky nuk mund të prishë protestën tonë”, tha Berisha.