Tre rrjete izraelite supermarketesh kanë vendosur të ndalojnë importin e produkteve nga Turqia pas deklaratave publike të Erdoganit në mbështetje të grupit islamik Hamas, por edhe pretendimit se nuk është një organizatë terroriste.
Sipas raporteve, importet e produkteve turke u ndaluan nga zinxhiri më i madh i supermarketeve në Izrael, Shufersal, si dhe zinxhirët konkurrues Rami Levy dhe Yochananof. Importuesit më të vegjël të produkteve gjithashtu duket se kanë ndjekur shembullin e zinxhirëve të mëdhenj.
Nga ana e saj, Ministria Turke e Tregtisë mohon që një bojkot izraelit ndaj produkteve turke është duke u zhvilluar.
Dje, mes përshkallëzimit të vazhdueshëm të retorikës turke kundër Izraelit, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan akuzoi drejtpërdrejt qeverinë izraelite se së bashku me mbështetjen e Perëndimit ka kryer krime kundër njerëzimit në Gaza.
“Qeveria izraelite, me mbështetjen e pakushtëzuar që ka nga Evropa dhe Amerika, ka kryer krime kundër njerëzimit para gjithë botës për saktësisht 25 ditë”, tha Erdogan.
“Perëndimi, veçanërisht vendet evropiane, kanë dështuar edhe një herë të tregojnë humanizëm në Gaza. Si rezultat i sulmeve të drejtpërdrejta të Izraelit kundër civilëve, 8500 palestinezë, kryesisht foshnja, fëmijë dhe gra, kanë humbur jetën deri më tani”, vazhdoi presidenti turk.
Udhëheqësi turk madje theksoi se Ankaraja po bën përpjekje për të siguruar “që autorët e krimeve të luftës të kryera në Gaza do të mbajnë përgjegjësi përpara ligjit”.