Një palestinez mesatar në Gazë është duke jetuar me dy copa bukë në ditë, që i merr prej ndihmave të Kombeve të Bashkuara, ka thënë drejtori i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë, Thomas White.
Ai ka thënë se thirrjet kryesore në rrugët e Gazës tani janë “ujë, ujë”.
White, i cili ka thënë se ka qenë në Gazë në javët e fundit, e ka përshkruar vendin si “skenë të vdekjes dhe shkatërrimit”.
Sipas tij, asnjë pjesë tani nuk është e sigurt, dhe njerëzit janë të frikësuar për jetën e tyre, të ardhmen dhe mundësitë për t’i ushqyer familjarët.
Kjo agjenci e OKB-së, është duke i mbështetur 89 furra në Gazë, prej të cilave pritet t’i furnizojnë me bukë 1.7 milion banorë, u ka thënë White diplomatëve të 193 vendeve anëtare të OKB-së, në një takim lidhur me situatën në Gazë.
Por White ka folur edhe për një problem tjetër.
Sipas tij, ujërat e zeza nuk janë duke u trajtuar dhe po nxirren në det.
“Mirëpo, kur ju bisedoni me punëtorët komunalë, ata tregojnë se kur të mbesin pa naftë, ujërat e zeza do të përhapen nëpër rrugë”.
Sipas tij, mbi 600.000 njerëz janë duke u strehuar në 149 qendra të OKB-së, shumica prej tyre shkolla, mirëpo agjencia e ka humbur kontaktin me shumë prej tyre në pjesën veriore të Gazës, ku Izraeli është duke kryer luftime intensive, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të Hamasit në tokën e tij më 7 tetor.
Sipas tij, mesatarisht, 4.000 njerëz që jetojnë në Gazë, janë duke jetuar në shkolla, pa kushte për ta mbajtur higjienën.
“Kushtet janë dëshpëruese”, pasi gratë dhe fëmijët janë duke fjetur nëpër klasa, ndërsa burrat nëpër ambiente të hapura, ka thënë ai.
White ka thënë se agjencia e OKB-së nuk mund të ofrojë siguri, pasi pesë objekte të saj janë goditur drejtpërdrejt, dhe të paktën 38 persona kanë vdekur në qendrat e tyre të strehimit, përfshirë 72 pjesëtarë të stafit të OKB-së.
Griffiths ka bërë thirrje për pauza humanitare, për të marrë ndihma për palestinezët.
Ai ka bërë thirrje edhe për lirim të të gjitha pengjeve dhe mbrojtje të civilëve në të dyja anët, siç kërkohet me ligjin ndërkombëtar.
Ministria e Shëndetësisë në Gazë ka thënë se mbi 9.000 njerëz janë vrarë në Gazë prej nisjes së luftës Izrael-Hamas.