Ministri i Brendshëm Taulant Balla në një vizitë zyrtare në Moldavi ka zhvilluar takim me homologun e tij, Adrian Efros, ku dhe firmosën një marrëveshje për bashkëpunimin policor mes dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme,gjatë takimit ministri Balla dhe homologu i tij Efros u dakordësuan mbi thellimin e bashkëpunimit ekzistues midis dy vendeve tona në të gjitha çështjet me interes të përbashkët.
“Diskutuam mbi aspiratën e kahershme të dy popujve tanë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian dhe gatishmërinë për të intensifikuar shkëmbimin e eksperiencave në kuadër të reformave të ndërmarra përgjatë procesit të integrimit europian”, theksoi Balla.
Në fjalën e tij, ministri Balla tha se “marrëveshja e firmosur sot midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Moldavisë mbi bashkëpunimin policor është një hap i rëndësishëm për të rritur operacionet e përbashkëta policore dhe adresuar çështjet me rëndësi si krimi ndërkufitar, lufta kundër krimit të organizuar, trafikimit të lëndëve narkotike dhe qenieve njerëzore në funksion të rritjes së sigurisë së qytetarëve tanë”.
“Gjatë takimit diskutuam edhe mbi aspiratën e kahershme të dy popujve tanë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian dhe gatishmërinë për të intensifikuar shkëmbimin e eksperiencave në kuadër të mekanizmave të rëndësishëm EUROPOL apo INTERPOL”, theksoi ministri Balla.