Erling Haland do të jetë i gatshëm për t’u përballur me Liverpulin të shtunën, pasi lëndimi i fundit i sulmuesit të Mançester Sitin nuk duket të jetë serioz. Norvegjezi përdrodhi kaviljen gjatë fitores 2-0 të kombëtares së tij ndaj Ishujve Faroe të enjten në mbrëmje dhe ngjalli shqetësim se do të humbiste ndeshjen e madhe të radhës në Premier Ligë.
Norvegjia nuk arriti që të kualifikohet në Kampionatin Europian të vitit të ardhshëm, pasi Izraeli nuk mundi Rumaninë gjatë fundjavës dhe Halandi nuk u rrezikua në ndeshjen kundër Skocisë. Golashënuesi i “qytetarëve”, i cili u rendit i dyti në çmimet e “Topit të Artë”, shpjegoi se do të përdorte pushimin për t’u rikuperuar dhe shpreson që të kthehet në gjendje për të luajtur ndeshjen e ardhshme kundër ekipit që nuk i ka shënuar ende në Premier Ligë. Por lajmi se dëmtimi i tij nuk është serioz vjen si një lehtësim për trajnerin e Sitit, Pep Guardiola. 23- vjeçari ka shënuar 13 gola në 12 ndeshjet e para të Premier Ligë dhe është arma më e fortë e sulmit në skuadrën kampione.
IDHULL CR7
Në një intervistë për “TV2”, Haland ka treguar se Kristiano Ronaldo është frymëzimi i tij kryesor dhe shpjegoi se ai e kishte zakon ta shikonte gjithmonë superyllin portugez gjatë viteve të zhvillimit të tij si futbollist. “Më kujtohet që e shikoja gjithmonë në ‘YouTube’ për lëvizjet e tij në zonë: ai bënte dy ose tre lëvizje përpara se të sulmonte hapësirën ku donte të ishte”, tha Haland. Statistikat e golave me kokë të norvegjezit janë përmirësuar në një gol në 4 goditje, por edhe për këtë aspekt të lojës ai ka shfrytëzuar CR7- ën për t’u përmirësuar: “Është një lloj dueli në atë situatë me qendërmbrojtësit. Është e rëndësishme të zgjedhësh kohën e duhur. Dhe pasimi duhet të jetë i mirë, sepse nëse nuk merr një krosim të mirë, nuk do të mund të shënosh me kokë. Mënyra sesi ai lëviz dhe se si ka arritur të zhvillojë lojën e tij është fantastike. Ju kujtohet kur ai luajti te Mançester Junajtidi dhe në vitet e para te Reali i Madridit, për t’u bërë më shumë një sulmues në klubin e Realit? Është e pabesueshme për të që ia del, por edhe se si i shënon golat. Janë lëvizjet e vogla në zonë dhe aftësia për të mashtruar mbrojtësit”, shtoi ai.