Ambasadori i Bashkimit Evropian Luigi Soreca, u shpreh në takimin e organizuar nga kryeministri Edi Rama me ambasadorët e huaj në vendin tonë, të shtunën në Tiranë, se “Bashkimi Evropian është i gatshëm të ndihmojë Shqipërinë në çdo gjë. Hapi i parë që vendi duhet të bëjë, pas fatkeqësisë së tërmetit të 26 nëntorit, është vlerësimi i dëmeve. Ndërkohë që, deri më tani puna është në rrugën e duhur”.
“Të gjithë jemi prekur personalisht, faktin që kemi folur me Ju disa minuta donim t’ju tregonim gatishmërinë tonë për t’ju ndihmuar, për t’ju ardhur në ndihmë. Janë bërë disa gjëra në terren. Sa i takon BE-së, kam parasysh të gjitha shtetet anëtare, që i falënderoj që vepruan menjëherë duke punuar së bashku në terren”, tha Soreca, ndërsa vuri në dukje se duhet të koordinohen të gjitha aktivitetet, me qëllim shmangien e dublimeve.
“Puna po ecën në drejtimin e duhur. Ka rëndësi ta dini se ne e shohim si një punë që po ecën në drejtimin e duhur. Duhet të bëhet vlerësimi pas fatkeqësisë kjo është pika e parë. Këtu do të dëgjoni gatishmëri e Komisioneres së re për të ju ndihmuar me shërbimet e posaçme që ne kemi për të kryer një vlerësim të nevojave pas fatkeqësisë. Kjo është baza e çdo organizimi për t’u angazhuar financiarisht. Prandaj kjo është e rëndësishme që të bëhet sa më parë që të jetë e mundur, çdo bankë që do të kontaktoni, çdo mision që doni të aktivizoni do të ju kërkoja vlerësimin e nevojave pas fatkeqësisë”, tha ai.
Soreca shprehu gatishmërinë e BE që këtë bashkërendim ta zgjerojmë përtej
shteteve anëtare me ato shtete që janë më pranë mekanizmit tonë.
“Ne jemi gati të marrim gatishmëri e atyre që duan të na bashkangjiten duke u siguruar që mos të kemi dublikime të përpjekjeve që gjërat të shkojnë aty ku duhet, dhe kjo lidhet me pikën tuaj të fundit kur folët për bashkërendimin e donatorëve për asistencë financiare. Ne jemi duke e bërë këtë ndërkohë”, tha ai./ATSH/