Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, në kërkim ndërkombëtar, ka reaguar sërish nga arratia mbi hetimet e SPAK ndaj tij.
Ahmetaj ka bërë me dije se ka kërkuar opinion nga një firmë ligjore ndërkombëtare në SHBA, në lidhje me raportin e SPAK, dhe kërkesën për heqjen e imunitetit parlamentar.
Sipas Ahmetajt, kjo firmë ligjore ka prodhuar një raport prej 420 faqesh të bazuara në standartet ndërkombëtare.
“Në vazhdën e persekutimit politik për më shumë se një vit e gjysmë, të vazhduar e orientuar në media (të financuara nga inceneratorët) dhe në institucionet e akuzës, u detyrova të kërkoja një Opinion të dytë të pavarur (Indipendent Second Opinion) nga një firmë ligjore ndërkombëtare me qendër në SHBA.
Firma ligjore “Nixon Peabody” mori në shqyrtim të gjithë raportin e SPAK paraqitur në kërkesën që ky i fundit dorëzoi në Kuvend për heqjen e imunitetit parlamentar. Firma ligjore “Nixon Peabody” pas disa muajsh punë me bashkëpunëtorë me eksperiencë të fushës (ish-prokurorë federalë, apo ish-investigatorë të institucioneve ligjzbatuese amerikane) kanë prodhuar një raport të gjatë prej 420 faqesh duke u bazuar në standardet ndërkombëtare, prezumimin e pafajësisë dhe të drejtat themelore të njeriut”, shkruan Ahmetaj në rrjetin social Facebook.
Ish-zv.kryeministri deklaron se raporti përmban 38 faqesh në të cilat bie në sy një nga konkluzionet e “political motivation or others…”, që janë sulme te orientuara politikisht, për akuzat e ngritura ndaj tij. Po ashtu, Ahmetaj bën me dije se këtë raport ja ka dërguar Ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, Kryeparlamentares Lindita Nikolla dhe Kryeinspektorit Artur Metani.
“Në raport ka dhe një përmbledhje prej 38 faqesh, ku bie në sy një nga konkluzionet e “political motivation or others…”, pra sulme te orientuara politikisht, për akuzat e ngritura ndaj meje, përmbledhje e cila mund të lexohet lehtësisht nga kushdo i interesuar.
Këtë raport ia kam dërguar Ministrit të Drejtësisë, Kryetares së Kuvendit, Kryeinspektorit Metani, si dhe disa përfaqësive të huaja të shteteve dhe institucioneve që kanë kontribuar në reformën në drejtësi.
Më poshtë kam atashuar linkun e materialit të plotë, i cili është lehtësisht i aksesueshëm.
Tashmë nuk kam më as habi, e as çuditem nga goditjet e orientuara, të kaluara, të tashme e të ardhme. Nuk kam çudi as nga standardet e aplikuara. Në të ardhmen e afërt do të komunikoj në detaje për akuza / supozime e përtej”, shkruan Ahmetaj.